“Musededi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ po ligjëronte ditën e premte, erdhi një burrë dhe i tha: - O i Dërguari i Allahut! Po mban thatësirë e madhe, andaj lute Allahun të na çojë shi! Pejgamberi ﷺ bëri dua, e në atë rast filloi të bjerë shi, saqë mezi arritëm nëpër shtëpitë tona. Shiu vazhdoi deri në xhumanë e ardhshme. Atëherë, i njëjti person (ose dikush tjetër) u ngrit dhe tha: - O i Dërguari i Allahut! Lute Allahun të na e largojë! Pejgamberi ﷺ u lut: “O Allah, çoje rreth nesh, e jo mbi ne!” Shihja se si retë shpërndaheshin në të djathtë e në të majtë duke lëshuar shi, porse në Medinë nuk kishte reshje.””