“Kajs ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Sulejmani, Ameshi, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Alkame se Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po ecnim nëpër gërmadhat e Medinës me Pejgamberin ﷺ, i cili mbështetej në një shkop palme, kaluam pranë një grupi hebrenjsh, disa prej të cilëve u thoshin të tjerëve: “Pyeteni për shpirtin?” Ndërkaq, të tjerët sugjeronin: “Mos e pyetni, se ndoshta ju jep ndonjë përgjigje që s'ju pëlqen.” - Do ta pyesim medoemos, - thanë disa. Kështu, njëri u ngrit dhe tha: “O Ebu Kasim! Çfarë është shpirti?” Pejgamberi ﷺ heshti. - Sigurisht po i shpallet diçka, - thashë me vete, andaj u ngrita. Kur Pejgamberi ﷺ u kthjellua, tha: “Do të të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, ndërsa atyre nuk ju është dhënë veçse pak dijeni.” (Isra, 85) Ameshi ka thënë: “Kështu qëndron në kiraetin tonë.””