“Hasen ibn Abdulazizi na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Hasani, e këtij i ka treguar Kurejshi, e ky është Ibn Hajani, e ky nga Thabiti se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ shkuam tek Ebu Sejf Kajniu, burri i mëndeshës së Ibrahimit (birit të Pejgamberit ﷺ). I Dërguari i Allahut ﷺ e mori Ibrahimin, e puthi dhe i mori erë (nga kënaqësia). Kur shkuam herën tjetër, Ibrahimi po jepte shpirt, e të Dërguarit të Allahut ﷺ i lotonin sytë. Atëherë Abdurrahman ibn Aufi i tha: - A edhe ti, o i Dërguari i Allahut (po qan)? - “O Ibn Auf, kjo është mëshirë, - tha ai dhe vazhdoi: Syri loton e zemra pikëllohet, porse ne themi vetëm atë që e kënaq Allahun. Jemi të pikëlluar për ndarjen tënde, o Ibrahim!” (Këtë hadith) e transmeton edhe Musai, e ky nga Sulejman ibn Mugire, e ky nga Thabiti, e ky nga Enesi, e ky nga Pejgamberi ﷺ.”