“Haxhaxhi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e këtij i ka treguar Ebu Xhemra se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Delegacioni i fisit abdulkajs erdhën te Pejgamberi ﷺ dhe i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Ne jemi pjesëtarë të fisit rebia, por mes jush dhe nesh gjenden jobesimtarët e mudarit, andaj nuk po mund të vijmë te ti, përveçse në muajt e shenjtë. Na urdhëro diçka konkrete, që ta mësojmë prej teje e t'i njoftojmë të tjerët.” Pejgamberi ﷺ u tha: “Jua urdhëroj katër gjëra dhe jua ndaloj katër të tjera: 1. Besimin në Allahun (që është) : të deklaruarit se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, - Pejgamberi ﷺ lëvizi dorën për të numëruar, 2. Faljen e namazit, 3. Dhënien e zekatit dhe 4. Të jepni një të pestën e presë së luftës. Jua ndaloj përdorimin e enës nga kungulli, shtambës, varelës dhe vorbës së katranosur .” Sulejmani dhe Ebu Numani, duke transmetuar nga Hamadi, kanë thënë: “Besimi në Allahun: “të deklaruarit se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut.””