“Muhamed ibn Ebu Bekër Mukademi na ka thënë: Na ka treguar Fudajl ibn Sulejmani, e këtij i ka treguar Musa ibn Ukbe, e këtij i ka rrëfyer Kurejbi se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Pejgamberi ﷺ, pasi vajosi dhe krehu flokët e mjekrën si dhe i veshi izarin dhe ridanë, u nis prej Medinës së bashku me shokët e tij. Nuk e kishte ndaluar asnjë veshje, përveç atyre të parfumuara me shafran, gjurmët e të cilit e përshkojnë lëkurën. Mëngjesi e zuri në Dhul Hulejfe. Hipi në kafshën e tij dhe, me të arritur në rrafshinën Bejda, hyri në ihram së bashku me shokët e vet dhe ia vendosi qaforen kurbanit të tij (duke e shenjuar për kurban). Atëkohë, muajit dhul kade i kishin mbetur edhe pesë ditë. Kur arriti në Mekë, kishin kaluar katër net të muajit dhul hixhe. E kreu tavafin rreth Qabesë dhe ecjen mes Safasë e Mervës, por, për shkak të kurbanit, të cilit ia kishte vendosur qaforen (dhe e kishte marrë me vete), nuk u lirua nga ihrami. Pastaj, i hyrë në ihram për haxh, vazhdoi rrugën për në pjesën e sipërme të Mekës, te Haxhuni. Pas tavafit të parë, nuk iu afrua më Qabesë, derisa u kthye prej Arafatit. Ndërkaq, sahabët i urdhëroi të bëjnë tavaf rreth Qabesë e të ecin mes Safasë e Mervës, pastaj t'i shkurtojnë flokët dhe të lirohen nga ihrami. Këto vlenin vetëm për ata që nuk e kishin marrë me vete kurbanin me qafore. Ata që kishin ardhur me bashkëshorte (dhe ishin liruar nga ihrami), i kishin të lejuara marrëdhëniet intime me to, si dhe parfumimin e veshjen e rrobave të përditshme.””