“Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Më ka treguar Ebu Bekër Hanefiu, e këtij i ka treguar Eflah ibn Humejdi, e ky e ka dëgjuar Kasim ibn Muhamedin se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Së bashku me Pejgamberin ﷺ u nisëm gjatë muajve dhe netëve të haxhit, në kohën dhe vendet e përcaktuara për kryerjen e haxhit. Kur arritëm në Serife, Pejgamberi ﷺ doli para shokëve të tij dhe u tha: “Ai që nuk ka marrë kurban me vete, porse dëshiron ta kryejë umrën , le ta bëjë. Ndërkaq, ai që ka kurban me vete, të mos e bëjë.” Disa shokë të Pejgamberit ﷺ kryen umrën, disa jo. Ndërkaq, Pejgamberi ﷺ dhe disa të tjerë, që ishin të fortë (fizikisht) dhe kishin marrë kurbane me vete, nuk mund të bënin umrën. Pejgamberi ﷺ erdhi tek unë dhe më gjeti duke qarë. Më pyeti: - “Ç'ke që qan, moj?” - Dëgjova çfarë u the shokëve të tu, por unë nuk mund të kryej umrën, - i thashë. - Përse, si qëndron puna? - pyeti Pejgamberi ﷺ. - Nuk mund të falem, - iu përgjigja. - “Nuk prish punë asgjë. Ti je një prej bijave të Ademit. Allahu ka paracaktuar për ty (si femër, ardhjen e menstruacioneve) njëjtë siç ka paracaktuar për to . Bëje haxhin, me shpresë që (pastaj) Allahu të ta mundësojë edhe umrën.” Kështu, shkuam në haxh me të. Kur shkuam në Mina, u pastrova (prej menstruacioneve). Pastaj, prej Minas shkova dhe e kreva tavafin e haxhit rreth Qabesë. U nisa së bashku me të, në turmën e fundit (ditën e trembëdhjetë), derisa arritëm në Muhasab, ku u ndalëm. Ai e thirri Abdurrahman ibn Ebu Bekrin dhe i tha: “Dil me motrën tënde prej haremit (kufijve të Mekës) , që të hyjë në ihram për umre. Pasi ta kryeni umrën, ejani këtu. Unë do t'ju pres derisa të ktheheni.” Shkuam dhe, pasi e kreva umrën e tavafin, u kthyem në pjesën e fundit të natës. Pejgamberi ﷺ pyeti: - “A e bëtë umrën?” - Po, - i thamë. Më pas njerëzve u tha të përgatiten dhe u nis drejt Medinës.””