“Ebu Nuajmi na ka treguar se Ebu Shihabi tregon: “Ditën e pestë (të dhul hixhes) shkova në Mekë për haxh temetu. Disa banorë të Mekës më thanë: “Domethënë, haxhi yt do të konsiderohet sikurse haxhi i mekasit.” Kështu, shkova tek Atai për ta pyetur rreth kësaj.” Ai më tha: “Më ka treguar Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se e ka kryer haxhin me Pejgamberin ﷺ ditën kur kishte marrë me vete devetë (për kurban) , ndërkohë disa njerëz kishin hyrë në ihram vetëm për haxh, andaj u tha: “Lirohuni prej ihramit pasi ta kryeni tavafin, ecjen mes Safasë e Mervës dhe pasi t'i shkurtoni flokët. Qëndroni ashtu, pa i veshur ihramët, deri ditën e Tervijes (të tetën) , pastaj hyni në ihram për haxh. Ndërkaq, haxhin për të cilin jeni nisur (llojin ifrad) shndërrojeni në temetu.” Njerëzit i thanë: “E si ta shndërrojmë në temetu, kur fillimisht nijetin e kemi bërë vetëm për haxh (ifrad)?” Ai u tha: “Veproni siç ju thashë! Edhe unë, sikur të mos e kisha marrë kurbanin me vete, do të veproja ashtu, mirëpo për shkak të ihramit nuk më lejohet kryerja e saj, pa u therur kurbani.” Rrjedhimisht, ata vepruan ashtu (si u urdhëruan).” Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Ebu Shihabi nuk ka transmetuar hadith nga Pejgamberi ﷺ, me përjashtim të këtij hadithi.””