“Ebu Kamil Fudajl ibn Husejn Basriu na ka thënë: Na ka treguar Ebu Masheri, e këtij i ka treguar Othman ibn Gijathi se Ikrime tregon se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) u pyet rreth haxhit temetu, e në atë rast u përgjigj: “Në haxhin lamtumirës muhaxhirët, ensarët dhe gratë e Pejgamberit ﷺ hynë në ihram e ashtu vepruam edhe ne. Kur arritëm në Mekë, i Dërguari i Allahut ﷺ na tha: “Haxhin tuaj shndërrojeni në umre, përveç atyre që e kanë marrë kurbanin me vete.” E bëmë tavafin, ecjen mes Safasë e Mervës, pastaj shkuam me gratë tona dhe i veshëm rrobat tona të zakonshme. Pejgamberi ﷺ tha: “Ata që e kanë marrë kurbanin me vete, të mos lirohen nga ihrami pa e therur kurbanin në vendin e vet.” Në pasditen e ditës së Tervijës (ditës së tetë) na urdhëroi të hyjmë në ihram për haxh. Pasi i përfunduam ritet nëpër vendet e shenjta (Arafat, Muzdelife etj.), e bëmë tavafin dhe ecjen mes Safasë e Mervës dhe kështu e kompletuam haxhin tonë, e në atë rast na u obligua të therim kurban, siç thotë Allahu ﷻ: “... le të therë kurban sipas mundësisë. Ndërkaq, ai që nuk ka mundësi, është i detyruar të agjërojë tri ditë në haxh dhe shtatë ditë pas kthimit nga haxhi...” (Bekare, 196) Pra, (kur të ktheheni) në vendbanimet tuaja. Mjafton të theret një dele. Domethënë, i bashkuan dy rite në një vit: haxhin dhe umrën. Allahu e ka zbritur këtë dispozitë në Librin e Tij, gjë të cilën e ka praktikuar edhe i Dërguari i Tij ﷺ dhe ua ka lejuar njerëzve, përveç banorëve të Mekës. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kjo është për ata që nuk janë nga Meka...” (Bekare, 196) Muajt e haxhit, të cilët i ka përmendur Allahu, janë: shevali, dhul kade dhe dhul hixhe. Atij që kryen haxhin temetu në këta muaj, i obligohet të therë një kurban ose të agjërojë. Me fjalën الرَّفَثُ (rafeth) janë për qëllim marrëdhëniet intime. Me fjalën: الْفُسُوقُ (fusuk) janë për qëllim mëkatet. Ndërkaq, me fjalën الْجِدَالُ (xhidal) është për qëllim polemika. (Bekare, 197)”