“Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Salim ibn Abdullahu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në Haxhin Lamtumirës i Dërguari i Allahut ﷺ e bashkoi umrën dhe haxhin, me haxh temetu. Kurbanin e mori me vete prej Dhul Hulejfes. Në fillim hyri në ihram për umre, pastaj për haxh. Kështu vepruan edhe të tjerët: e bashkuan umrën me haxhin. Disa kishin marrë kurbane me vete, e disa të tjerë jo. Kur Pejgamberi ﷺ arriti në Mekë, u tha njerëzve: “Ai që e ka sjellë kurbanin me vete, të mos lirohet prej ihramëve derisa ta kryejë haxhin. Ndërkaq, ai që nuk ka sjellë kurban me vete, le ta kryejë tavafin, ecjen mes Safasë e Mervës, le t'i shkurtojë flokët dhe le të lirohet prej ihramëve, pastaj le të hyjë sërish në ihram për haxh. Ai që nuk gjen kurban (për të therur) , le t'i agjërojë tri ditë në haxh dhe shtatë pasi të kthehet te familja e vet.” I Dërguari i Allahut ﷺ, me të arritur në Mekë, e bëri tavafin: fillimisht e preku Gurin e Zi dhe në tri rretullimet e para nxitoi në ecje, kurse në katër të fundit eci normal. Pas tavafit, i fali dy rekate te Mekami dhe shkoi në Safa, ku e kreu ecjen mes Safasë e Mervës, shtatë herë. Më pas nuk u lirua prej ihramëve, derisa e kreu haxhin: e theri kurbanin ditën e Bajramit, shkoi dhe e kreu tavafin e haxhit, pastaj u lirua tërësisht prej ihramëve. Kështu vepruan të gjithë ata që e kishin marrë kurbanin me vete.””