“Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Jahja ibn Seidi, e këtij i ka treguar Fudajl ibn Gazvani, e këtij i ka treguar Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, ditën e Bajramit të Kurbanit, i Dërguari i Allahut ﷺ u ligjëroi njerëzve, e në atë rast tha: - “O njerëz, çfarë dite është sot?” - Ditë e shenjtë, - iu përgjigjën të pranishmit. - “Çfarë qyteti është ky?” - Qytet i shenjtë. - “Çfarë muaji është ky?” - Muaj i shenjtë. - “Dijeni mirë se: gjaku, pasuria dhe nderi juaj janë të shenjtë sikurse shenjtëria e kësaj dite, në këtë vend, në këtë muaj”, - dhe e përsëriti këtë disa herë. Pastaj, e ngriti kokën dhe tha: - “O Allah, a e kumtova? O Allah, a e kumtova?” - Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se kjo ishte porosia e tij për umetin e vet. - “Të pranishmit le t'ua përcjellin atyre që mungojnë. Mos u ktheni në kufër pas meje (pas vdekjes sime) duke vrarë njëri-tjetrin.””