“Ubejd ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi në Medinë, Ebu Bekri dhe Bilali u sëmurën. Kur Ebu Bekrin e kapte zjarrmi a, thoshte: "Çdo njeri gdhihet në familjen e vet, E më afër lidhëses së këpucës ka vdekjen që e pret.” Ndërkaq, kur Bilalit i kalonte pakëz zjarrmia, e ngrinte zërin duke thënë: "Sikur të mund të kaloja një natë të vetme në një luginë, I rrethuar me idhhir e xhelil! A do të vijë dita kur do të mund të pi ujë në mixhene, Dhe a do të shohë më kodrinat Shameh e Tafil?” Dhe vazhdonte: “O Allah, mallkoje Shejbe ibn Rabian, Utbe ibn Rabian dhe Umeje ibn Halefin siç na kanë nxjerrë prej tokës sonë në tokën e epidemisë (Medinë)!” Pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “O Allah, na e bëj të dashur Medinën ashtu siç e donim Mekën, ose edhe më shumë! O Allah, na begato në sain e mudin tonë dhe bëje Medinën të shëndetshme për ne, ndërsa zjarrminë e saj dërgoji në Xhuhfe!” Aishja thotë: “Kur erdhëm në Medinë, ajo ishte vendi më epidemik në tokën e Allahut e në luginën But'han rridhte ujë i ndotur.””