“Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Humejd ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Teksa rrinim ulur te Pejgamberi ﷺ, erdhi një njeri dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, jam shkatërruar. - “Çfarë ke?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ. - Kam bërë marrëdhënie intime me gruan time, duke qenë agjërueshëm, - iu përgjigj ai. - “A mund të gjesh një rob për ta liruar?” - Jo. - “A mund të agjërosh dy muaj rresht?” - Jo. - “A mund t'i ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?” - Jo. Kështu, ai qëndroi te Pejgamberi ﷺ për një kohë dhe, duke qenë në këtë gjendje, Pejgamberit ﷺ i sollën një shportë me hurma, e në atë rast tha: - “Ku është pyetësi?” - Ja ku jam, - tha ai. - “Merre këtë dhe jepe lëmoshë.” - Ndonjë më të varfri se unë, o i Dërguari i Allahut?! Betohem në Allahun se mes dy pllajave (të Medinës) nuk ka shtëpi më të varfër se familja ime, - tha ai. Pejgamberi ﷺ qeshi, saqë iu dukën dhëmbët, pastaj tha: “Ushqeje familjen tënde me të.””