“Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ebu Is'hak Shejbaniu se Ibn Ebu Eufai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ ishim në një udhëtim kur njërit prej nesh i tha: “Zbrit dhe më përgatit pak qull (për iftar) .” - Dielli, o i Dërguari i Allahut! - ia ktheu ai. - “Zbrit dhe më përgatit qull!” - Dielli, o i Dërguari i Allahut! - i tha prapë. - “Zbrit dhe më përgatit qull!” Atëherë ai zbriti, i përgatiti pak qull dhe Pejgamberi ﷺ e piu. Pastaj bëri me dorë matanë dhe tha: “Kur ta shihni natën se vjen prej andej, agjëruesi veçse ka bërë iftar.” Transmetimin e Sufjanit e fuqizojnë Xheriri dhe Ebu Bekër ibn Ajashi nga Shejbaniu, e ky nga Ibn Ebu Eufai, i cili ka thënë: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ ishim në një udhëtim.””