“Muhamed ibn Abdurrahimi na ka thënë: Na ka treguar Muavi ibn Amri, e këtij i ka treguar Zaide, e ky nga Ameshi, e ky nga Muslim Batini, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një njeri erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, nëna ime ka vdekur, ndërkohë i ka mbetur muaji pa agjëruar, a ta kompensoj për të (duke agjëruar)?” - “Po, se borxhi ndaj Allahut është më meritor që të kompensohet”, - tha ai. Sulejmani ka thënë: “Hakemi dhe Seleme kanë thënë: “Teksa Muslimi po e tregonte këtë hadith, të gjithë ne ishim të ulur, - ka thënë: - “E kam dëgjuar Muxhahidin duke e përmendur këtë prej Ibn Abasit. Po ashtu, është përmendur se Ibn Halidi ka thënë: “Na ka treguar Ameshi, e ky nga Hakemi, Muslim Batini dhe Seleme ibn Kuhejli, e këta nga Seid ibn Xhubejri, Atai dhe Muxhahidi nga Ibn Abasi se ka thënë: “Një grua i tha Pejgamberit ﷺ: “Motra ime ka vdekur.” Po ashtu, Jahjai dhe Ebu Muavije kanë thënë: “Na ka treguar Ameshi, e ky nga Muslimi, e ky nga Seidi, e ky nga Ibn Abasi se ka thënë: “Një grua i tha Pejgamberit ﷺ: “Nëna ime ka vdekur.” Ubejdullahu transmeton nga Zejd ibn Ebu Unejse, e ky nga Hakemi, e ky nga Seid ibn Xhubejri, e ky nga Ibn Abasi se ka thënë: “Një grua i tha Pejgamberit ﷺ: “Nëna ime ka vdekur, ndërkohë i ka mbetur agjërim i zotuar.” Ebu Harizi ka thënë: “Na ka treguar Ikrime nga Ibn Abasi se ka thënë: “Një grua i tha Pejgamberit ﷺ: “Nëna ime ka vdekur, ndërkohë i kanë mbetur pesëmbëdhjetë ditë (pa agjëruar).””