“Ibrahim ibn Hamzai na ka thënë: Më ka treguar Ibn Ebu Hazimi dhe Deraverdiu, e këta nga Jezidi, e ky nga Muhamed ibn Ibrahimi, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ hynte në itikaf në dhjetëshin e mesit të muajit Ramazan. Kur kalonin njëzet net dhe vinte nata e njëzetenjëtë, kthehej në shtëpinë e tij. Kështu vepronin edhe ata që bënin itikaf me të. Njëherë hyri në itikaf dhe, kur arriti nata në të cilën duhej të dilte, ai qëndroi dhe u ligjëroi njerëzve. I urdhëroi aq sa ia mundësoi Allahu dhe, ndër të tjera, u tha: “Unë hyja në itikaf këto dhjetë net, por më pas m'u shpall që të hyj në itikaf në dhjetë netët e fundit. Andaj, ai që ka hyrë në itikaf me mua, le të qëndrojë në vendin e itikafit. Më është shfaqur në ëndërr kjo natë (kur është) , por pastaj m'u largua dituria rreth saj, andaj kërkojeni atë në dhjetëshen e fundit dhe kërkojeni në netët tek. Kam parë në ëndërr se bëja sexhde mbi ujë dhe baltë.” Atë natë filloi të bjerë shi, saqë në natën e njëzetenjëtë, xhamia filloi të pikonte aty ku falej Pejgamberi ﷺ. Me sytë e mi e pashë të Dërguarin e Allahut ﷺ kur e kreu namazin e sabahut si iu bë fytyra me baltë dhe ujë.”