“Muhamed ibn Alai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Burejdi, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shembulli i muslimanëve dhe hebrenjve e të krishterëve është sikurse shembulli i një personi që merr ca argatë për t'i kryer një punë brenda një dite, deri në mbrëmje, kundrejt një pagese të caktuar. Kështu, ata punojnë deri në mesditë dhe thonë: - Nuk kemi nevojë për pagesën që na ke premtuar, andaj po e asgjësojmë punën që kemi bërë. - Mos veproni kështu! Kryejeni punën deri në fund dhe merreni shpërblimin të plotë, - iu thotë ai. Por, ata refuzojnë dhe e braktisin. Pas tyre punëson ca të tjerë dhe u thotë: “Kryejeni punën deri në fund dhe do t'ju paguaj siç u kam premtuar atyre.” Ata punojnë deri në namazin e ikindisë dhe thonë: - Punën që kemi bërë po e asgjësojmë, andaj, shpërblimin që na ke premtuar, mbaje për vete. - Kryejeni punën deri në fund, se dita nuk ka edhe shumë, - u thotë ai. Por, ata refuzojnë. Pastaj, i punësoi ca të tjerë për ta çuar punën deri në fund. Kështu, këta punojnë deri në perëndimin e diellit dhe e kompletojnë punën e dy grupeve të mëparshme. Ja, ky është shembulli i tyre dhe hises që kanë përfituar nga kjo dritë.””