“Mekij ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Ebu Ubejdi se Seleme ibn Ekvai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Po rrinim me Pejgamberin ﷺ, kur sollën një xhenaze dhe thanë: - Falja namazin e xhenazes! - “Mos vallë ka ndonjë borxh?” - pyeti Pejgamberi ﷺ. - Jo, - i thanë. - “A ka lënë diçka pas vetes?” - Jo. Kështu, Pejgamberi ﷺ ia fali namazin e xhenazes. Më pas sollën një xhenaze tjetër dhe i thanë: - O i Dërguari i Allahut, falja namazin! - “A ka ndonjë borxh?” - pyeti Pejgamberi ﷺ. - Po. - “A ka lënë pasuri pas vetes?” - Tre dinarë, - i thanë. Kështu, Pejgamberi ﷺ ia fali namazin e xhenazes. Pastaj sollën një xhenaze të tretë dhe i thanë: - Falja namazin! - “A ka lënë diçka pas vetes?” - pyeti Pejgamberi ﷺ. - Jo, - i thanë. - “Ka ndonjë borxh?” - Tre dinarë. - “Ju faljani namazin shokut tuaj!” Sakaq ndërhyri Ebu Katadja dhe tha: “Falja namazin, o i Dërguari i Allahut, sepse unë ia shlyej borxhin.” Kështu, Pejgamberi ﷺ ia fali namazin.”