“2515, 2516 - Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Ebu Vaili se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ai që betohet rrejshëm për të përvetësuar ndonjë pasuri, do ta takojë Allahun të hidhëruar me të.” Pastaj Allahu e zbriti ajetin: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t'u flasë atyre, nuk do t'i shikojë në Ditën e Kiametit dhe nuk do t'i pastrojë prej gjynaheve e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.” (Ali Imran, 77) Eshath ibn Kajsi doli dhe na tha: “Çfarë po ju thotë Ebu Abdurrahmani?” Pasi i treguam, na tha: “E ka thënë të vërtetën. Ky ajet ka zbritur për mua. Kam pasur një mosmarrëveshje me një person në lidhje me një pus, andaj shkuam tek i Dërguari i Allahut ﷺ, e në atë rast ai më tha: - “Ose dëshmia jote, ose betimi i atij.” - Por, ai do të betohet, e s'e ka dert betimin! - i thashë. - “Ai që betohet rrejshëm për të përvetësuar një pasuri, do ta takojë Allahun të hidhëruar me të”, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ. Pastaj, për ta miratuar këtë fjalë, Allahu e zbriti ajetin: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t'u flasë atyre, nuk do t'i shikojë në Ditën e Kiametit dhe nuk do t'i pastrojë prej gjynaheve e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.” (Ali Imran, 77)”