“Ismaili na ka thënë: Më ka treguar vëllai im, e ky nga Sulejmani, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se gratë e të Dërguarit të Allahut ﷺ ishin të ndara në dy grupe: në njërin grup ishin: Aishja, Hafsa, Safija dhe Sevda, kurse në tjetrin: Umu Seleme dhe gratë e tjera të Dërguarit të Allahut ﷺ. Muslimanët e dinin se në ç'masë e donte i Dërguari i Allahut ﷺ Aishen. Andaj, nëse dikush kishte ndonjë dhuratë për të Dërguarin e Allahut ﷺ, priste derisa vinte dita e Aishes, kur i Dërguari i Allahut ﷺ ndodhej në shtëpinë e saj, në mënyrë që t'ia jepte. Grupi tjetër iu drejtuan Umu Selemes duke i thënë: “Fol me të Dërguarin e Allahut ﷺ, le t'u thotë njerëzve se, kur kanë për t'i dhuruar diçka, le t'ia dhurojnë, pavarësisht në cilën shtëpi të grave të tij ndodhet.” Kështu, Umu Seleme ia tha këto gjëra të Dërguarit të Allahut ﷺ, por ai nuk iu përgjigj gjë. Ato e pyetën nëse kishte folur me të dhe kjo u tha: “Nuk më tha asgjë.” Por, ato këmbëngulën që të flasë sërish me të. Umu Seleme, për së dyti, ia tha të njëjtat gjëra të Dërguarit të Allahut ﷺ, ditën kur ai ishte në shtëpinë e saj, por ai sërish nuk i ktheu asnjë përgjigje. Ato i thanë: “Fol me të, derisa të të japë ndonjë përgjigje.” Herën tjetër, kur i Dërguari i Allahut ﷺ shkoi në shtëpinë e saj, ajo i foli për këtë punë. Atëherë Pejgamberi ﷺ ia ktheu: - “Mos më prek në Aishen, se nuk ka ndodhur që të më vijë shpallja duke qenë afër ndonjërës prej grave, përveç afër Aishes.” - Pendohem tek Allahu nëse të kam lënduar, o i Dërguari i Allahut! - tha Umu Seleme. Më pas, ato iu drejtuan Fatimes, së bijës së të Dërguarit të Allahut ﷺ, e cila dërgoi dikë tek i Dërguari i Allahut ﷺ për t'i thënë: “Gratë e tua po të bëjnë be në Allahun të tregosh drejtësi në raport me të bijën e Ebu Bekrit.” Pasi biseduan, Pejgamberi ﷺ i tha: - “Oj bija ime, a nuk e do atë që dua unë?” - Posi, - iu përgjigj Fatimja. Ato kërkuan që Fatimja sërish të shkojë e të flasë me Pejgamberin ﷺ, por ajo nuk pranoi. Pastaj e dërguan Zejnebe bint Xhahshin, e cila erdhi dhe me vrazhdësi tha: “Gratë e tua po të betohen të tregosh drejtësi me të bijën e Ibn Ebu Kuhafës.” E ngriti zërin, saqë filloi të flasë, madje edhe ta ofendojë Aishen, e cila po qëndronte ulur. I Dërguari i Allahut ﷺ e shikonte Aishen, nëse donte të fliste apo jo. Atëherë Aishja filloi të flasë e t'i kundërpërgjigjej Zejnebes, derisa e bëri të heshtë. Pejgamberi ﷺ e shikoi Aishen dhe tha: “Ajo është e bija e Ebu Bekrit.” Buhariu ka thënë: “Pjesa e fundit e tregimit, përkatësisht tregimi i Fatimes, përmendet nga Hisham ibn Urve, e ky nga një person, e ky nga Zuhriu, e ky nga Muhamed ibn Abdurrahmani, kurse Ebu Mervani e ka transmetuar nga Hishami, e ky nga Urve: “... i rrinin gati ditës kur ai ishte tek Aishja.” Po ashtu, transmetohet nga Hishami, e ky nga një burrë kurejsh, dhe një burrë nga të çrobëruarit, e këta nga Zuhriu, e ky nga Muhamed ibn Abdurrahman ibn Harith ibn Hishami se Aishja ka thënë: “Teksa isha tek Pejgamberi ﷺ, Fatimja kërkoi leje për të hyrë.””