“2607, 2608 - Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Mervan ibn Hakemi dhe Misver ibn Mahremi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregojnë se, kur erdhi delegacioni i fisit hevazin te muslimanët dhe i kërkuan t'ua kthejë pasuritë dhe robërit e zënë në luftë, Pejgamberi ﷺ u tha: “Ju po shihni kë kam me vete. Unë i dua fjalët e sinqerta, andaj zgjidhni njërën prej këtyre të dyjave: ose robërit e luftës, ose pasurinë. Unë kam pritur se do të vini për ta.” Pejgamberi ﷺ i kishte pritur dhjetë net e më shumë pasi ishte larguar prej Taifit. Kur atyre iu bë e qartë se Pejgamberi ﷺ nuk do t'ua kthejë të dyja, thanë: “Po i zgjedhim robërit e luftës.” Pejgamberi ﷺ u ngrit në mesin e njerëzve, e lavdëroi Allahun ashtu siç i takon Atij dhe tha: “E, më pas; Vërtet, vëllezërit tuaj na kanë ardhur të penduar, kështu që unë mendoj t'ua kthej robërit e luftës. Andaj, kush prej jush vendos t'i lirojë me dëshirë, le ta bëjë, e, kush dëshiron që ta mbajë pjesën e vet (robin e luftës) derisa t'i japim diç prej plaçkës së parë me të cilën do të na furnizojë Allahu, le ta mbajë.” Njerëzit thanë: “Do ta bëjmë këtë, o i Dërguari i Allahut!” - “Nuk po dimë kush prej jush po lejon lirimin e robërve e kush jo, andaj kthehuni nëpër vendet tuaja që përfaqësuesit tuaj të na lajmërojnë për secilin prej jush”, - u tha Pejgamberi ﷺ. Njerëzit u kthyen dhe biseduan me përfaqësuesit e tyre, të cilët shkuan dhe e lajmëruan Pejgamberin ﷺ se pajtoheshin t'i lironin robërit e luftës me dëshirë. Këto gjëra na janë transmetuar rreth pjesëtarëve të fisit hevazin të zënë robër lufte.”