“Ebu Rebi Sulejman ibn Davudi na ka thënë, ndërsa Ahmedi ma ka sjellë kuptimin e një pjese: Na ka treguar Fulejh ibn Sulejmani, e ky nga Ibn Shihab Zuhriu, e ky nga Urve ibn Zubejri, Seid ibn Musejebi, Alkame ibn Vekas Lejthiu dhe Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon ndodhinë kur shpifësit patën shpifur për të, por, më pas, Allahu e pastroi nderin e saj. Zuhriu ka thënë: “Të gjithë transmetuesit ma kanë treguar nga një pjesë të hadithit, disa prej të cilëve e kishin kuptuar më mirë se të tjerët dhe e tregonin në mënyrë më të përpiktë, ndërkaq, prej secilit prej tyre e kam kuptuar mirë pjesën e hadithit që ma ka treguar nga Aishja, ndërkohë, disa pjesë të hadithit i vërtetonin pjesët e tjera. Aishja rrëfen: “Sa herë që i Dërguari i Allahut ﷺ donte të nisej për udhëtim, hidhte short ndërmjet grave të tij dhe merrte me vete atë që i binte shorti. Kur doli në një nga betejat, ai hodhi short mes nesh dhe shorti më ra mua. Kështu, u nisa bashkë me të pasi Allahu e kishte urdhëruar mbulesën për gratë. Mua më hipnin në deve dhe më zbrisnin me gjithë kabinë. Kështu, ne ecëm derisa i Dërguari i Allahut ﷺ mbaroi betejën dhe u kthyem për në shtëpi. Ndërsa iu afruam Medinës, i Dërguari i Allahut ﷺ na urdhëroi të udhëtonim natën. Kur u dha urdhri për t'u nisur, unë eca për nevojë fiziologjike derisa kisha shkuar larg nga ushtria. Pasi mbarova dhe u ktheva te karvani për t'u nisur, papritur preka gjoksin dhe vërejta se më ishte këputur gjerdani, kështu që u ktheva për ta kërkuar, gjë për të cilën u vonova. Njerëzit që më ndihmonin në deve, e morën kabinën ku rrija dhe e vendosën në devenë me të cilën udhëtoja, duke menduar se isha brenda. Atëkohë gratë ishin të lehta dhe jo të shëndosha, sepse hanin pak, kështu që ata nuk e kishin ndier shumë ndryshimin e peshës së kabinës. E morën atë dhe e vendosën në deve, ndërkohë unë isha shumë e re. Kështu, ata e ngritën devenë dhe u nisën. Unë e gjeta gjerdanin pasi ushtria kishte ikur. Kur u ktheva aty, nuk gjeta askënd, kështu që shkova te vendi im, ku isha më parë, duke menduar se ata do ta vërenin mungesën time dhe do të ktheheshin prapë të më kërkonin. Në këtë gjendje më erdhi gjumi dhe fjeta. Safvan ibn Muatil Sulemiu kishte qenë pas ushtrisë dhe, në mëngjes, erdhi në vendin ku isha unë. Kur pa hijen e një njeriu që flinte, erdhi drejt meje. Ai më kishte parë mua edhe para kohës së obligimit të mbulesës për gratë. Kështu, kur dëgjova atë të thotë: “Ina lilahi ve ina ilejhi raxhiun - Vërtet, të Allahut jemi dhe pa dyshim se tek Ai do të kthehemi!”, unë u zgjova. Ai e uli devenë e tij, zbriti prej saj dhe këmbën e tij e vuri te këmbët e para të devesë. Unë hipa në të, ndërsa Safvani u nis në këmbë duke tërhequr devenë për litari, derisa e arritëm ushtrinë, e cila ishte ndalur për të pushuar në mesditë. Atëherë, disa ranë në sprovë dhe u shkatërruan (duke shpifur për nderin e Aishes), ndërsa prijësi i shpifësve ishte Abdullah ibn Ubej ibn Seluli. Pasi arritëm në Medinë, unë u sëmura një muaj, ndërkohë njerëzit po përhapnin fjalët e shpifësve. Gjatë kohës sa isha e sëmurë, fakti se nuk shihja prej Pejgamberit ﷺ butësinë e tij të zakonshme, gjë të cilën e shprehte kur sëmuresha, më bëri të dyshoja. Ndërkohë ai vinte, përshëndeste dhe më thoshte: “Si jeni ju?” Unë nuk dija ç'po ndodhte, derisa u shërova nga sëmundja që kisha dhe dola me Umu Mistahun në Menasi, vend ku dilnim për nevojë fiziologjike. Atëkohë për nevojë dilnim vetëm natën dhe kjo para se t'i kishim nevojtoret afër shtëpive. Kështu ishte zakoni, siç vepronin arabët më parë, nevojën e kryenin në vend të hapur ose larg shtëpive. Andaj, dola me Umu Mistahun duke ecur. Ajo u pengua nga fustani i gjatë (u rrëzua) dhe tha: “Qafën e theftë Mistahu!” Unë i thashë: “Ç'fjalë të keqe po thua! Si fyen dikë që ka marrë pjesë në Luftën e Bedrit?” Ajo tha: “Moj, ti! A nuk paske dëgjuar çfarë thonë për ty?!” Më pas ajo më tregoi thashethemet e shpifësve. Mua m'u shtua e m'u rëndua sëmundja dhe, kur u ktheva në shtëpi, i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi tek unë. Pasi përshëndeti, pyeti: “Si jeni ju?” Unë i kërkova që të më lejonte të shkoja te prindërit e mi. Doja që të sigurohesha prej tyre për lajmet e përhapura. I Dërguari i Allahut ﷺ më lejoi dhe unë shkova te prindërit. Menjëherë pyeta nënën time: “Çfarë po përflasin njerëzit?” Ajo më tha: “Oj bija ime! Mos u shqetëso shumë për këtë. Betohem në Allahun se nuk ka grua të shkëlqyer e joshëse që e do shumë burri i saj, i cili ka edhe gra të tjera, që ato të mos trillojnë për të. Thashë: “Subhanallah! Thashetheme të tilla thënkan njerëzit?!” Atë natë qava deri në agim dhe nuk vura gjumë në sy. Kur pa se iu vonua shpallja, i Dërguari i Allahut ﷺ thirri në mëngjes Aliun dhe Usame ibn Zejdin, për t'u këshilluar me ta për ta ndarë gruan e tij (Aishen). Usame i tregoi atij atë që dinte për mirësinë e grave të tij dhe shtoi: “O i Dërguari i Allahut, mbaje gruan tënde pasi, për Allahun, ne dimë vetëm fjalë të mira për të!” Ndërkaq, Aliu i tha: “O i Dërguari i Allahut, ty Allahu nuk të ka vënë kufizime, ka edhe shumë gra të tjera krahas saj, megjithatë kërkoji shërbëtores të ta thotë të vërtetën.” Nga kjo i Dërguari i Allahut thirri Berirën dhe e pyeti: “Oj Berirë! A ke parë tek ajo diçka që të ngjall dyshime për të?” Berira i tha: “Jo. Betohem në Allahun, i Cili të ka dërguar me të vërtetën! Unë kurrë nuk kam parë tek ajo ndonjë gjë të keqe e të gabuar, përveç faktit se ajo është vajzë shumë e re dhe, kur fle, harron dhe e lë brumin pa kujdes, kështu që vijnë dhe e hanë pulat.” Atë ditë i Dërguari i Allahut ﷺ u ngjit në minber dhe kërkoi që dikush ta mbështeste atë për të ndëshkuar Abdullah ibn Ubej ibn Selulin. Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kush më mbështet mua të hakmerrem ndaj atij që më ka prekur në nderin e familjes sime? Betohem në Allahun! Unë di vetëm të mira për familjen time, si dhe është akuzuar një burrë për të cilin unë di vetëm të mira, i cili kurrë nuk ka hyrë në shtëpinë time pa mua.” Sad ibn Muadhi u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Për Allahun, unë të mbështes: në qoftë se ai njeri është nga fisi evs, atëherë ne do t'ia heqim kokën, e, nëse është nga vëllezërit tanë, nga fisi hazrexh, na urdhëro, e ne do ta përmbushim urdhrin tënd.” Pastaj u ngrit Sad ibn Ubade, kreu i fisit hazrexh, i cili ishte burrë i mirë, por, i shtyrë (në atë moment) nga fanatizmi fisnor, tha: “Po gabohesh! Betohem në Allahun se ti nuk e vret dot atë dhe nuk do të mund ta vrasësh.” Pas tij, Usejd ibn Hudajri u ngrit dhe i tha (Sad ibn Ubades): “Gabohesh, për Allahun! Betohem në Allahun se do ta vrasim. Ti je hipokrit, që mbron hipokritët.” Kështu, dy fiset evs dhe hazrexh u acaruan shumë dhe ishin gati të luftonin kundër njëri-tjetrit, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ po qëndronte në minber. Ai zbriti dhe i qetësoi, derisa ata u ndalën dhe ai ra në heshtje. Aishja vazhdon: “Gjithë atë ditë unë vazhdova të qaj, aq sa lotët nuk m'u ndalën dhe nuk vura gjumë në sy. Në mëngjes prindërit e mi ishin me mua. Kisha qarë një ditë e dy net, aq sa m'u duk se nga të qarët do të më plasë mëlçia. Ndërkohë që të dy prindërit ishin ulur tek unë teksa po qaja, një grua ensare më kërkoi leje që të hynte dhe unë e lashë të hynte. Ajo u ul dhe filloi të qajë me mua. Ndërkohë që të gjithë ne ishim në këtë gjendje, i Dërguari i Allahut ﷺ hyri dhe u ul. Ai nuk ishte ulur tek unë qysh ditën që ata trilluan dhe më akuzuan. Kaloi një muaj dhe asnjë shpallje nuk i zbriti atij për çështjen time. Ai e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, pastaj tha: “Oj Aishe! Për ty më kanë thënë kështu e ashtu. Në qoftë se je e pafajshme dhe e dëlirë, Allahu së shpejti do ta shpallë pastërtinë tënde, por, në qoftë se ke bërë gjynah, atëherë kërko falje tek Allahu dhe pendohu, sepse, kur robi (njeriu) pranon fajin e bërë dhe i lutet Allahut për falje, Allahu ia pranon pendimin.” Kur i Dërguari i Allahut ﷺ mbaroi fjalën e tij, mua m'u shterën lotët, andaj nuk më mbeti lot në sy. Babait tim i thashë: “Përgjigjju të Dërguarit të Allahut ﷺ!”, por ai më tha: “Për Allahun, nuk di ç't'i them të Dërguarit të Allahut ﷺ.” Pastaj i thashë nënës: “Përgjigjju të Dërguarit të Allahut në vendin tim!”, por edhe ajo më tha: “Për Allahun, nuk di ç't'i them të Dërguarit të Allahut.” Ndërkaq, unë isha e re dhe nuk kisha shumë dije nga Kurani. Thashë: “Për Allahun, unë tani e di vërtet se ju keni dëgjuar ç'po thonë njerëzit dhe ajo është ngulitur te ju, aq sa e keni marrë për të mirëqenë. Tani, nëse unë ju them juve se jam e pastër, ndërkohë Allahu e di që unë jam e pastër dhe e pafajshme, ju nuk do të më besoni. Në qoftë se unë ju dëshmoj duke gënjyer se jam fajtore, ndërkohë Allahu e di se unë jam e pastër dhe e pafajshme, atëherë ju do të më besoni. Betohem në Allahun se nuk gjej dot për ju dhe për mua shembull tjetër, përveçse atë të babait të Jusufit ﷺ, i cili ka thënë: “Por, durimi është më i mirë! Allahut i kërkoj ndihmë kundër asaj që po tregoni ju.” (Jusuf, 18) Pastaj siç isha në shtrat u ktheva nga ana tjetër, gjithnjë duke shpresuar se Allahu do të provonte pafajësinë time, por, për Allahun, kurrë nuk kisha menduar se Allahu do të zbriste shpallje për çështjen time, pasi nuk e quaja veten time të denjë që të flitej për mua në Kuran, por thjesht shpresoja se i Dërguari i Allahut ﷺ me gjasë do të shihte ndonjë ëndërr, përmes së cilës Allahu do të qartësonte pafajësinë dhe pastërtinë time. Për Allahun, ende pa u ngritur i Dërguari i Allahut ﷺ nga vendi ku ishte dhe pa dalë askush nga dhoma, atij i erdhi shpallja! Kështu, atë e kaploi ajo gjendje e zakonshme, siç e kaplonte (çdoherë kur i zbriste shpallja): ai djersinte aq shumë, saqë pikat e djersës i kullonin si perla, edhe pse ishte ditë e ftohtë dimri. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ u lirua nga ajo gjendje, duke qeshur, fjalën e parë që foli, më tha mua: “Oj Aishe! Falëndero Allahun! Ai tashmë ka shpallur pafajësinë dhe dëlirësinë tënde.” Nëna ime më tha që të afrohesha tek i Dërguari i Allahut ﷺ, por unë i thashë: “Jo, për Allahun! Nuk do t'i afrohem dhe nuk falënderoj askënd tjetër përveç Allahut.” Kështu, Allahu i Lartësuar shpalli ajetin: “Pa dyshim se ata që shpifën janë një grup nga mesi juaj...” (Nur, 11) Kur Allahu zbriti këtë shpallje për pafajësinë dhe dëlirësinë time, Ebu Bekër Sidiku, që gjithnjë e kishte ndihmuar me bamirësi Mistahun, sepse ai ishte i afërm i tij, tha: “Betohem në Allahun se më nuk do t'i jap asgjë Mistahut, për shkak të asaj që tha për Aishen.” Por, më vonë, Allahu i Lartësuar zbriti ajetin: “Njerëzit e ndershëm dhe të pasur ndër ju të mos betohen se nuk do t'u japin të afërmve, të varfërve dhe të mërguarve në rrugën e Allahut; le t'i falin ata dhe të mos ua marrin për keq! Vallë, a nuk doni ju që Allahu t'ju falë? Allahu është Falës e Mëshirëplotë. ” (Nur, 22) Pas kësaj Ebu Bekri tha: “Po! Betohem në Allahun se unë dua që Allahu të më falë!” - dhe zuri ta ndihmojë përsëri Mistahun, të cilin e kishte ndihmuar vazhdimisht në të shkuarën. Aishja pastaj shton: “Ndërkohë, i Dërguari i Allahut ﷺ kishte pyetur edhe Zejnebe bint Xhahshin (bashkëshorten e vet) për mua duke i thënë: “Oj Zejnebe! Çfarë di dhe çfarë ke parë?” Ajo i kishte thënë: “O i Dërguari i Allahut, unë ruhem të them se kam dëgjuar ose kam parë diçka që as kam dëgjuar, as kam parë. Betohem në Allahun se unë për Aishen di vetëm të mira.” Asokohe Zejnebja ishte rivalja ime (për bukuri dhe për dashurinë e Pejgamberit ﷺ), megjithatë Allahu e ruajti atë me devotshmëri (nga mëria dhe ligësia).” Fulejhu na ka treguar nga Hisham ibn Urve, e ky nga Urve, e ky nga Aishja dhe Abdullah ibn Zubejri, njëjtë. Po ashtu Fulejhu na ka treguar nga Rebia ibn Ebu Abdurrahmani dhe Jahja ibn Seidi, e ky nga Kasim ibn Muhamed ibn Ebu Bekri, njëjtë.”