“Seid ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Gasani, e këtij i ka treguar Ebu Hazimi se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se disa pjesëtarë të fisit të Amër ibn Aufit kishin një zënkë mes vete, andaj Pejgamberi ﷺ shkoi së bashku me disa shokë të vet për t'i pajtuar ata. Në anën tjetër, u afrua koha e namazit, por Pejgamberi ﷺ ende nuk kishte ardhur. Kështu, Bilali e thirri ezanin për namaz, ndërsa Pejgamberi ﷺ s'kishte ardhur akoma. Kështu, Bilali shkoi tek Ebu Bekri dhe i tha: - Pejgamberi ﷺ u vonua, ndërkohë koha e namazit tashmë ka hyrë, andaj a po u prin njerëzve në namaz? - Po, nëse do, - tha Ebu Bekri. Bilali e thirri ikametin dhe Ebu Bekri doli përpara për t'ua falur namazin. Ndërkohë, Pejgamberi ﷺ erdhi dhe vazhdoi të ecë nëpërmjet safave derisa arriti në të parin. Njerëzit filluan ta lajmëronin Ebu Bekrin, duke u rënë shuplakave, por ai zor se shpërqendrohej në namaz. Për një moment, ai shikoi dhe e pa Pejgamberin ﷺ mbrapa, i cili ia bëri me shenjë për të vazhduar namazin ashtu si ishte. Ebu Bekri i çoi duart dhe e falënderoi Allahun (për atë që Pejgamberi ﷺ e urdhëroi), pastaj u tërhoq mbrapa, derisa u rreshtua në saf. Pejgamberi ﷺ kaloi përpara dhe, pasi ua fali namazin, tha: - “O njerëz! Kur po dyshoni në namazin e imamit, po u bini shuplakave? Rrahja e shuplakave është për gratë. Nëse dikush dyshon diçka në namazin e imamit, le të thotë “subhanallah”, sepse kushdo që e dëgjon, ia tërheq vëmendjen. O Ebu Bekër! Çfarë të pengoi të vazhdoje t'ua falje njerëzve namazin pasi të urdhërova?” - Nuk i takon të birit të Ebu Kuhafës t'i prijë Pejgamberit ﷺ në namaz, - tha Ebu Bekri.”