“Ebu Ahmedi na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Jahja Ebu Gasan Kinaniu, e këtij i ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Kur banorët e Hajberit ia nxorën krahët Abdullah ibn Omerit, Omeri u ngrit dhe ligjëroi: “I Dërguari i Allahut ﷺ i ka punësuar hebrenjtë e Hajberit në pronat e tyre dhe u ka thënë: “Do t'ju lëmë këtu, aq sa të dojë Allahu” , e, kur Abdullah ibn Omeri shkoi atje, te prona e vet, ata e sulmuan gjatë natës dhe ia nxorën duart dhe këmbët. Ndërkaq, ne atje nuk kemi armiq të tjerë përveç tyre. Ata janë armiqtë tanë, andaj vetëm ata i akuzojmë, kështu që mendoj t'i dëbojmë.” Kur Omeri përfundimisht vendosi t'i dëbojë, erdhi një person nga fisi i Ebu Hukajkut dhe i tha: “O prijës i besimtarëve, dëshiron të na dëbosh, ndërkohë Muhamedi ﷺ na ka punësuar në ato prona dhe na e ka kushtëzuar këtë gjë?” Omeri ia ktheu: “Po mendon se e kam harruar fjalën e të Dërguarit të Allahut ﷺ (drejtuar juve): “Ç'do të bësh kur të të dëbojnë nga Hajberi dhe me net të tëra të të bartë deveja rrugëve të gjata?” Ai tha: “Kjo ka qenë shaka e Ebu Kasimit.” Omeri i tha: “Po gënjen, o armik i Allahut!” Andaj, Omeri i dëboi dhe ua dha produktet që u takonin: devetë dhe gjësende të tjera si mjete të punës, litarë etj. Hamad ibn Seleme e transmeton nga Ubejdullahu, - kujtoj se ka thënë: - nga Nafiu, e ky nga Ibn Omeri, e ky nga Omeri, e ky nga Pejgamberi ﷺ, në mënyrë të përmbledhur.”