“Ukajli transmeton nga Zuhriu, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ i provonte (besimtaret që bënin hixhret). Kur Allahu e zbriti urdhrin që t'ua kthenin idhujtarëve mehrin e grave të tyre, që kishin bërë hixhret, dhe ua ndaloi muslimanëve të qëndrojnë në martesë me idhujtaret, Omeri i shkurorëzoi dy gra të tij: Karibe bint Ebu Umejën dhe të bijën e Xhervel Huzaiut. Me Kariben u martua Muavi ibn Ebu Sufjani, ndërsa me tjetrën Ebu Xhehmi. Por, kur idhujtarët refuzuan t'ua kthejnë muslimanëve mehrin e grave të tyre (idhujtare), Allahu e zbriti ajetin: “Nëse ndonjëra prej grave tuaja kthehet te jobesimtarët e më pas ju fitoni plaçkë lufte prej tyre...” (Mumtehine, 11) Pra, fjala është për ata të cilëve gratë u kishin shkuar tek idhujtarët (të cilët nuk ua kishin kthyer mehrin) dhe Allahu kishte urdhëruar që të tillëve t'u jepet nga preja e luftës aq sa kishin shpenzuar duke u dhënë mehër grave të shpërngulura. Nuk dimë të ketë dezertuar (nga Islami) ndonjë prej grave të mërguara pasi e kishte përqafuar Islamin. Ebu Besir ibn Esid Thekafiu vajti te Pejgamberi ﷺ si besimtar muhaxhir gjatë kohës së armëpushimit, por Ahnes ibn Shurejku i kishte shkruar letër Pejgamberit ﷺ duke ia kërkuar Ebu Besirin. Në vijim përmendi hadithin (të plotë).”