“Hafs ibn Omer Havdiu na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e ky nga Is'haku se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ dërgoi një grup njerëzish, të përbërë prej shtatëdhjetë vetash, pjesëtarë të fisit benu sulejm, te fisi benu amir.” Kur shkuan atje, daja im u tha: “Unë po u afrohem atyre dhe, nëse më garantojnë siguri, do t'ua përcjell mesazhin e të Dërguarit të Allahut ﷺ, por, për çdo rast, ju ju kam afër.” Kur shkoi, ata i garantuan siguri dhe, teksa po u fliste për Pejgamberin ﷺ, njërit prej tyre i bënë me shenjë, i cili shkoi dhe e theri tejpërtej dajën tim, i cili thirri dhe tha: “Allahu ekber! Për Zotin e Qabesë, fitova!” Pastaj ua mësynë shokëve të tij të tjerë e i vranë të gjithë, përveç njërit që çalonte, i cili hipi në një kodër. - Hemami thotë: “Mendoj se bashkë me të ishte edhe një tjetër (që shpëtoi). - Në anën tjetër, Xhibrili ﷺ e lajmëroi Pejgamberin ﷺ se ata tanimë janë takuar me Zotin e tyre, i Cili është i kënaqur me ta dhe i ka kënaqur. Për një kohë të caktuar, i lexonim këto fjalë të shpallura: “Lajmëroni popullin tonë se ne jemi takuar me Zotin tonë, i Cili është i kënaqur me ne dhe na ka kënaqur.” Por, më vonë, këto ajete u anuluan. Pejgamberi ﷺ ka bërë dua dyzet ditë kundër fiseve: riël, dhekvan, benu lihjan dhe benu usaje, të cilët i ishin kundërvënë Allahut dhe Dërguarit të Tij ﷺ.””