“Abdullah ibn Abdulvehabi na ka thënë: Na ka treguar Halid ibn Harithi, e këtij i ka treguar Ibn Avniu, e ky nga Musai, i biri i Enesit, se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në rrëfim e sipër për Luftën e Jemames, tregon se kishte shkuar te Thabit ibn Kajsi, i cili po lyhej me parfum e i kishte zbuluar kofshët, dhe i kishte thënë: “O axhë! Çfarë po të pengon të vish?” Ai ia ktheu: “Tani do të vij, o djali i vëllait tim”, - dhe vazhdoi të parfumohej. Enesi përmend se aty u bë një thyerje e rreshtave të ushtrisë dhe, kur Thabit ibn Kajsi erdhi, u radhit në rresht dhe, me qëllim që të na nxiste për ta sulmuar armikun, u drejtua nga ne dhe na tha: “Ne nuk vepronim kështu me të Dërguarin e Allahut ﷺ. Sa keq po i mësoni bashkëluftëtarët tuaj!” Hamadi transmeton nga Thabiti, e ky nga Enesi.”