“Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar Ebu Sufjan ibn Harbin të rrëfejë: “Teksa ishim në Sham me një karvan tregtarësh kurejshë, gjatë periudhës kur i Dërguari i Allahut ﷺ kishte marrëveshje armëpushimi me jobesimtarët kurejshë, lajmëtari i Cezarit na gjeti diku në Sham dhe na dërgoi në Ilja. Na futën brenda dhe ai ishte ulur në fronin e tij mbretëror me kurorë në kokë, ndërsa përreth tij ndodheshin elitarët e Bizantit. Pastaj iu drejtua përkthyesit të vet: “Pyeti: “Cili prej jush është më i afërt në farefisni me këtë burrë, i cili thënka se është pejgamber?” Ebu Sufjani tha: “I tregova se unë isha më i afërt me të, e ai pyeti se çfarë më lidh me të. I thashë se atë e kam djalë axhe. Asnjë prej karvanit nuk ishte pjesëtar i pasardhësve të Abdumenafit, përveç meje. Cezari (Herakliu) tha: “Afromani këtë njeri.” Ndërkaq, shokët e mi urdhëroi të lihen përmbrapa meje. Pastaj i tha përkthyesit: “Thuaju shokëve të tij se këtij njeriu do t'i bëj disa pyetje lidhur me të ashtuquajturin Pejgamber dhe, nëse thotë të pavërteta, le ta përgënjeshtrojnë.” Këtu Ebu Sufjani shtoi: “Betohem në Allahun se, sikur të mos ishte turpi se do të më përgënjeshtronin sheshazi shokët e mi, do të gënjeja kundër tij (Pejgamberit ﷺ). Por, nga turpi se shokët e mi do t'u thoshin të tjerëve se kam gënjyer, e thashë të vërtetën.” Pastaj i tha përkthyesit të vet: “Çfarë pozite ka familja e tij në mesin tuaj?” I thashë se i përket një familjeje fisnike. - A ka pretenduar dikush para tij nga mesi juaj këtë gjë (pejgamberinë)? - tha Herakliu. - Jo, - i thashë. - A e keni akuzuar ndonjëherë për gënjeshtër para se të pretendonte pejgamberinë? - tha ai. - Jo. - A ka qenë mbret ndonjë paraardhës i tij? - tha ai. - Jo, - i thashë: - A e pasojnë fisnikët apo të dobëtit? - pyeti ai. - Të dobëtit. - Pasuesit e tij vijnë duke iu shtuar a duke iu pakësuar? - Përkundrazi, sa vijnë e i shtohen, - i thashë. - A ka ndodhur që dikush ta lërë fenë e tij, nga urrejtja, pasi të ketë hyrë në të? - pyeti ai. - Jo. - A tradhton? - Jo, megjithëse tani kemi armëpushim dhe frikësohemi mos na tradhton, - thashë unë. Këtu Ebu Sufjani shton: “Përveç këtij shansi, nuk pata rast tjetër që të fusja ndonjë fjalë kundër tij, pa ma përhapur shokët si gënjeshtër.” Herakliu tha: “A keni luftuar me të?” - Po, - i thashë. - Si kanë qenë këto beteja? - Nuk ka pasur triumfues absolut: herë ai na ka mundur ne, herë ne atë. - E çfarë ju urdhëron? - tha ai. - Na urdhëron ta adhurojmë vetëm Allahun, të mos i bëjmë Atij ortak asgjë dhe t'i braktisim gjërat që paraardhësit tanë i adhuronin. Na urdhëron të falim namazin, të japim sadaka, të jemi të ndershëm, ta mbajmë fjalën dhe ta çojmë në vend amanetin, - i thashë. Kur ia thashë këto, Herakliu iu drejtua përkthyesit dhe i kërkoi të më thoshte këto fjalë: “Pak më parë të pyeta rreth statusit të familjes së tij dhe më tregove se është prej një familjeje fisnike. Kështu janë të gjithë të dërguarit, zgjidhen nga familjet më fisnike të popujve të tyre. Pastaj të pyeta se a ka pretenduar pejgamberinë dikush prej jush më parë, e ti më the jo. Sikur të më thoshe po, do të mendoja se ky burrë thjesht pasuaka fjalët e paraardhësve të tij. Të pyeta nëse e keni akuzuar më herët për gënjeshtër, e ti the që jo. Unë e di mirë se ai që nuk gënjen për njerëzit, asnjëherë nuk ndodh që të gënjejë për Allahun. Të pyeta në mos dikush prej baballarëve të tij ka qenë mbret, e ti e mohove. Sikur ndonjë paraardhës i tij të ishte mbret, do të thosha se ky burrë kërkuaka ta rikthejë mbretërinë e baballarëve të vet. Pastaj të pyeta se a pasohet nga fisnikët e shoqërisë apo nga të dobëtit, e më the se nga të dobëtit, ndërkaq dihet mirëfilli se pikërisht ata janë pasuesit e të dërguarve. Të pyeta se a po shtohen apo po pakësohen pasuesit e tij, e më tregove se dita-ditës sa vijnë e shtohen, e kështu qëndron çështja e imanit, derisa të plotësohet. Të pyeta nëse dikush prej tyre dezerton nga feja e tij nga urrejtja, pasi ta ketë pranuar atë, më the që nuk ndodh, e kështu është natyra e imanit, kur drita e tij depërton në zemra, nuk ndodh që ndokush ta urrejë më pas. Të pyeta se a tradhton ndonjëherë, e ti m'u përgjigje negativisht. Kështu, janë të dërguarit, kurrë nuk tradhtojnë. Të pyeta nëse keni luftuar mes vete, ti the që po dhe se herë ju keni triumfuar e herë ai. Kështu është puna me pejgamberët, sprovohen derisa në fund triumfojnë. Të pyeta se çfarë ju urdhëron, e më the se ju urdhëron ta adhuroni Allahun pa i bërë ortak, ju ndalon nga adhurimi i idhujve të paraardhësve, ju porosit namazin, sadakanë, ndershmërinë, mbajtjen e fjalës dhe çuarjen në vend të amanetit. Këto janë virtyte të një pejgamberi, e dija se një ditë do të paraqitet, por nuk prisja të ishte nga mesi juaj. E, nëse gjithë këto që m'i the janë të vërteta, atëherë dije se ai do të sundojë, madje edhe tokën që është nën këmbët e mia. Sikur ta dija me siguri se do të mund të arrija tek ai, do të nisesha për ta takuar. E, sikur të isha pranë tij, pa dyshim se do t'ia laja edhe këmbët.” Pas kësaj, e kërkoi letrën e dërguar prej Pejgamberit ﷺ, të cilën dikush e lexoi, ku shkruante: "Në emër të Allahut, Mëshirëplotit, Mëshirëbërësit! Prej Muhamedit, robit dhe të Dërguarit të Allahut, për Herakliun, mbretin e Romës. Paqja qoftë mbi pasuesit e udhëzimit! E, më pas; të thërras me thirrjen islame, nënshtrohu (pranoje Islamin), në mënyrë që të shpëtosh dhe të ta japë Allahu shpërblimin të dyfishtë. E, nëse kundërshton, atëherë mëkatet e popullit ariusian (pasuesve të tu) do të jenë barrë jotja. “Thuaj: “O ithtarët e Librit, ejani të biem në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush: se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t'i shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se njëri-tjetrin nuk do ta mbajmë për zot, në vend të Allahut! Nëse ata nuk pranojnë, atëherë thuaju: “Dëshmoni se ne i jemi nënshtruar Allahut!” (Ali Imran, 64) Ebu Sufjani thotë: “Kur Herakliu mbaroi së thëni ato që kishte, filluan të ngriheshin zërat e elitarëve romakë dhe shpërtheu një zhurmë e madhe, por nuk di çfarë thoshin, kurse ne na nxorën prej aty. Kur dolëm dhe u vetmova me shokët e mi, u thashë: “Çështja e të birit të Ebu Kebshes (Muhamedit) qenka bërë kaq e madhe, saqë atij iu frikësuaka edhe mbreti i bizantinëve.” Që atëherë u binda në vete se ai (Muhamedi ﷺ) do të fitonte dhe vazhdoja ta urreja derisa Allahu ma futi Islamin në zemër.””