“Ali ibn Muslimi na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Zekerija ibn Ebu Zaide, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Ebu Is'haku se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ dërgoi një grup ensarësh tek Ebu Rafiu, për ta vrarë. Njëri prej tyre shkoi dhe i hyri në kështjellë, i cili rrëfen: “Hyra në një torishtë të tyre dhe ata e mbyllën derën e kështjellës, por u mungonte një gomar, andaj dolën ta kërkonin. Unë dola së bashku me ta, që të mendonin se edhe unë po e kërkoja gomarin. Kur e gjetën, u kthyen dhe unë hyra bashkë me ta. Pastaj, gjatë natës, e mbyllën derën e kështjellës, ndërsa çelësin e lanë në një vrimë të murit, ku mund ta shihja. Kur fjetën, e mora çelësin dhe e hapa derën e kështjellës. Shkova tek Ebu Rafiu dhe i thashë: “O Ebu Rafi!” Ai m'u përgjigj, e unë shkova në drejtim të zërit të tij dhe e godita. Ai bërtiti, ndërsa unë dola, pastaj u ktheva sërish gjoja për t'i ndihmuar. Sërish i thashë: “O Ebu Rafi!” - dhe e ndryshova zërin.” Ai tha: “Çfarë ke, mjerë nëna jote!” I thashë: “Çfarë të ndodhi?” Ai tha: “Nuk e di kush hyri e më sulmoi.” Atëherë, ia vendosa shpatën në bark dhe u rëndova mbi të derisa ia preku ashtin. Dola i hutuar dhe shkova te ca shkallë për të zbritur, por rashë dhe e përndrydha këmbën. Kur shkova te shokët e mi, u thashë: “Nuk do të largohem pa e dëgjuar vajin për vdekjen e tij.” Kështu, nuk u largova derisa e dëgjova lajmin për vdekjen e Ebu Rafiut, tregtarit të banorëve të Hixhazit. Atëherë, u nisëm e nuk ndjeva asnjë dhimbje derisa shkuam te Pejgamberi ﷺ dhe i treguam.””