“Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Amër ibn Ebu Sufjan ibn Esid ibn Xharije Thekafiu, - i cili ishte aleat i fisit benu zuhra, njëkohësisht shok i Ebu Hurejrës, - se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ dërgoi dhjetë persona në një ekspeditë zbulimi, në krye të të cilëve e përcaktoi Asim ibn Thabit Ensariun, gjyshin e Asim ibn Omerit. Kështu, ata u nisën, por, kur arritën në Hedeh, vend mes Usfanit dhe Mekës, dikush ia përmendi këtë gjë një familjeje të hudhejlëve, që quheshin benu lihjanë, të cilët marshuan në drejtim të ekspeditës së Asimit, me rreth dyqind burra, që të gjithë shigjetarë. Kështu, i përcollën gjurmët e tyre derisa arritën në vendin ku ata ishin ndalur për të ngrënë dhe gjetën mbetje të hurmave, të cilat i kishin sjellë nga Medina. Thanë: “Këto janë hurma të Jethribit (Medinës).” Kështu, vazhduan t'i ndjekin gjurmët e tyre. Kur Asimi dhe shokët e tij i panë, u strehuan në një vend të ngritur, ku armiqtë i rrethuan dhe u thanë: “Zbritni dhe dorëzoni ato që posedoni, ndërsa ne ju japim besën dhe betohemi se s'do të vrasim asnjërin prej jush.” Asim ibn Thabiti, komandanti i ekspeditës, u tha: “Sa për mua, betohem në Allahun se nuk pranoj të jem nën mbrojtjen e një jobesimtari. O Allah, lajmëroje të Dërguarin Tënd për ne!” Kështu, ata i sulmuan me shigjeta dhe e vranë Asimin, vetë të shtatin. Ndërkaq, tre të tjerë, të cilët ishin: Hubejb Ensariu, Ibn Dethini dhe një tjetër, u dorëzuan në besën dhe betimin e tyre. Kur i zunë, ua prenë litarët e harqeve dhe i lidhën. Personi i tretë tha: “Ky është fillimi i tradhtisë. Për Allahun, nuk do të vij me ju, sepse kam përvojë me këta”, - aludonte në vrasjen e pakmëparshme që ua bënë shokëve të tjerë. E tërhoqën zvarrë dhe u munduan ta bindin që të shkonte me ta, por ai refuzoi, andaj e vranë. Kështu, e morën Hubejbin e Ibn Dethinin dhe i shitën në Mekë, pas Luftës së Bedrit. Hubejbin e bleu familja e Harith ibn Amir ibn Neufel ibn Abdumenafit, ndërsa Hubejbi tashmë e kishte vrarë Harith ibn Amirin ditën e Bedrit. Hubejbi qëndroi aty si rob lufte. Ubejdullah ibn Ijadi më tregoi se e bija e Harithit i ka rrëfyer: “Kur vendosën ta vrasin, ai më kërkoi t'i huazoj një brisk për t'i rruar qimet e trupit (pjesët e turpshme), gjë të cilën ia dhashë. Ai e thirri birin tim teksa unë isha e shpërqendruar, e ai i shkoi. Kur u ktheva, e pashë birin tim në prehrin e tij, teksa ai po mbante briskun në dorë. Unë u tmerrova shumë, saqë këtë gjë Hubejbi ma vërejti edhe në fytyrë, i cili në atë rast më tha: “Frikësohesh se do ta vras? Nuk do ta bëja kurrë.” Ajo vazhdon: “Betohem në Allahun se asnjëherë nuk kam parë rob lufte më të mirë se Hubejbin. Për Allahun, një ditë e kam parë të hajë rrush nga një kalavesh që e kishte në dorë, teksa ishte i lidhur me pranga hekuri, në një kohë kur s'kishte fruta në Mekë. Pra, ai ishte furnizim i Allahut për Hubejbin. Kur e nxorën jashtë Haremit (kufirit të Mekës), për ta vrarë, Hubejbi u tha: “Më lejoni t'i fal dy rekate.” Ata e lejuan. Ai i fali dy rekate dhe tha: “Sikur të mos mendonit se kam frikë, do ta zgjasja edhe më shumë. O Allah, shkatërroji një nga një! Përderisa vdes si musliman, jo s'mërzitem, se n'cilat troje, për Allahun, vritem e pritem. Këtë e bëj për Allahun, i Cili, kur dëshiron, edhe gjymtyrët e masakruara, Ai i bekon.” I biri i Harithit ishte ai që e vrau Hubejbin. Hubejbi ishte i pari që filloi traditën e faljes së dy rekateve për çdo musliman, para se të ekzekutohet. Allahu ia pranoi lutjen Asim ibn Thabitit ditën kur e vranë dhe Pejgamberi ﷺ i lajmëroi shokët e vet rreth ngjarjes së tyre dhe mundit me të cilin u përballën. Kur disa jobesimtarë kurejshë morën vesh për vrasjen e Asimit, dërguan dikë t'u sjellë dëshmi për vdekjen e tij, sepse ai, ditën e Bedrit, kishte vrarë dikë prej parisë së kurejshëve. Por, një grumbull grerëzash u dërgua tek Asimi për ta mbrojtur kundrejt lajmëtarit të kurejshëve, gjë që pamundësoi që Asimit t'i pritej ndonjë pjesë e trupit.”