“Muhamed ibn Abdullah ibn Hausheb Taifiu më ka thënë: Na ka treguar Hushejmi, e këtij i ka rrëfyer Husajni, e ky nga Seid ibn Ubejde se Ebu Abdurrahmani, i cili ishte përkrahës i Othmanit, i tha Ibn Atijes, i cili ishte përkrahës i Aliut: “Unë e di çfarë e ka bërë Aliun të guximshëm për të derdhur gjaqe. E kam dëgjuar Aliun (Allahu qoftë i kënaqur me të!) të thotë: “Pejgamberi ﷺ më pati dërguar mua e Zubejrin dhe na pati thënë: “Nisuni dhe shkoni te filan kopshti, ku do të gjeni një grua, së cilës Hatibi i ka dhënë një letër.” Arritëm te kopshti dhe i thamë (gruas në fjalë): “Na jep letrën.” Ajo tha: “Askush nuk më ka dhënë letër.” Ne i thamë: “Ose na jep letrën, ose do të të zhveshim (për të të kontrolluar).” Atëherë, ajo e nxori letrën nga lidhëset, e cila, kur iu dërgua Hatibit, tha: “Mos u ngut (të më dënosh), sepse, për Allahun, nuk kam bërë kufër. Madje, për Islamin vetëm se më është shtuar dashuria, por të gjithë shokët e tu kanë ndokënd në Mekë, me të cilët Allahu ua ruan familjen dhe pasurinë, ndërsa unë nuk kam askënd atje.” Kështu, desha ta fitoj përkrahjen e ndokujt atje. Pejgamberi ﷺ ia miratoi këto fjalë, ndërsa Omeri tha: “O i Dërguari i Allahut, më lejo t'ia pres kokën, sepse ai po bën hipokrizi!” Pejgamberi ﷺ i tha: “E çfarë di ti? Allahu i ka parë pjesëmarrësit në Bedër dhe u ka thënë: “Punoni ç'të doni, sepse jua kam falur mëkatet.” Pra, kjo gjë e bëri Aliun të marrë guxim.””