“Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ali ibn Husejni, e këtij i ka treguar Husejn ibn Aliu se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kam pasur një deve, të cilën, ditën e Bedrit, e pata marrë nga pjesa ime e plaçkës së luftës. Po ashtu, Pejgamberi ﷺ më pati dhënë një deve tjetër nga një e pesta e plaçkës së luftës. Kur desha të hyj dhëndër me Fatimen, të bijën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, porosita një argjendar nga fisi beni kajnuka të vijë me mua për të gjetur një idhhir, të cilin doja t'ua shisja argjendarëve, ndërkohë me fitimin e saj të përgatitem për dasmë. Ndërkohë që po tuboja ca gjëra për devetë: shala, thasë dhe litarë, i lashë devetë të pushojnë në afërsi të shtëpisë së një ensariu. Kur i tubova gjërat e nevojshme, u ktheva, dhe e pashë devetë me gunga të këputura, barqe të shqyera dhe pa mushkëri. Kur pashë këtë pamje, nuk arrita t'i mbaj lotët dhe thashë: “Kush e ka bërë këtë?” Më thanë: “Hamza ibn Abdulmutalibi, i cili ndodhet në këtë shtëpi duke pirë me disa ensarë.” Unë ia beha drejt Pejgamberit ﷺ dhe hyra në shtëpinë e tij, ku e gjeta edhe Zejd ibn Harithen. Kur Pejgamberi ﷺ më pa, kuptoi se më kishte goditur diçka, andaj më tha: “Çfarë ke?” I thashë: “O i Dërguari i Allahut, asnjëherë nuk më kanë zënë sytë sikurse sot. Hamzai m'i ka sulmuar devetë, ua ka këputur gungat dhe ua ka shqyer barqet, ndërsa tani është në një shtëpi duke pirë me disa të tjerë.” Pejgamberi ﷺ kërkoi ridanë e vet, e veshi dhe u nis, ndërsa unë dhe Zejd ibn Harithe e ndoqëm prapa. Vazhdoi të ecte derisa arriti në shtëpinë ku ndodhej Hamzai. Aty kërkoi leje dhe hyri, ku i gjeti disa persona të dehur. Atëherë, filloi ta qortojë Hamzain për atë që kishte bërë. Hamzai, të cilit i ishin skuqur sytë nga dehja, shikoi nga i Dërguari i Allahut ﷺ, pastaj e ngriti shikimin deri në gjunjë, më pas deri në kërthizë, pastaj e shikoi në fytyrë dhe tha: “Vallë, mos jeni gjë tjetër përveçse robër të babait tim?” Atëherë Pejgamberi ﷺ kuptoi se ai ishte i dehur, kështu që u tërhoq mbrapa dhe u largua. Ne dolëm bashkë me të.””