“Seid ibn Muhamed Xhermiu na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Ibrahimi, e këtij i ka treguar babai i tij, e këtij i ka treguar Velid ibn Kethiri, e ky nga Muhamed ibn Amër ibn Halhale Dueliu, e këtij i ka treguar Ibn Shihabi se Ali ibn Husejni tregon: “Kur u kthyem në Medinë, pasi që Jezid ibn Muaviu kishte vrarë Husejn ibn Aliun, - Allahu e mëshiroftë, - e takova Misver ibn Mahremin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili më tha: “Ke ndonjë punë që mund të ta kryej?” I thashë: “Jo.” Ai më tha: “A mund të ma japësh shpatën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, sepse frikohem se njerëzit do të ta grabisin. Betohem në Allahun se, nëse ma jep mua, kurrë askush nuk do t'i afrohet, pa më vrarë mua. Ali ibn Ebu Talibi e kishte kërkuar dorën e bijës së Ebu Xhehlit, ndërkohë ishte i martuar me Fatimen. Në lidhje me këtë, e pata dëgjuar Pejgamberin ﷺ të ligjërojë ndër njerëz, nga minberi i tij, - ndërkaq, atëkohë unë sapo kisha hyrë në pubertet, - ku pati thënë: “Fatimja është pjesë imja, ndërsa unë kam frikë se mos sprovohet në fenë e saj.” Pastaj përmendi një dhëndër tjetër të vetin, nga fisi benu abdushems, të cilin e lavdëroi në raportet e tyre miqësore, dhe tha: “Kur më ka folur, është treguar i sinqertë dhe, kur më ka premtuar, e ka realizuar. Unë nuk bëj haram një gjë hallall e nuk bëj hallall një gjë haram, por, betohem në Allahun se, kurrsesi, nuk bashkohet bija e të Dërguarit të Allahut ﷺ me bijën e armikut të Allahut.””