“Aliu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Munkediri se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sikur ta merrnim pasurinë e Bahrejnit, do të të jepja kaq e kaq e kaq.” Por, - vazhdon Xhabiri, - pasurinë e Bahrejnit nuk e morëm derisa vdiq i Dërguari i Allahut ﷺ. Kur e morëm atë, Ebu Bekri dërgoi lajmëtarë dhe tha: “Ai, të cilit i Dërguari i Allahut ﷺ i ka premtuar diçka ose i ka pasur borxh, le të vijë.” Unë shkova dhe i thashë: “I Dërguari i Allahut ﷺ më ka thënë kështu e kështu.” Atëherë, ai m'i mbushi tri herë nga dy grushte (dinarë). Në transmetimin e Ibn Munkedirit përmendet se Xhabiri ka thënë: “Shkova tek Ebu Bekri dhe i kërkova, por ai nuk më dha. Shkova sërish, por nuk më dha. Shkova së treti dhe i thashë: “Të kërkova, por nuk më dhe. Pastaj sërish të kërkova, e ti sërish nuk më dhe. Të kërkova sërish, por nuk më dhe. Ose më jep, ose ji koprrac ndaj meje.” Ai më tha: “Po thua se jam koprrac ndaj teje? Unë çdoherë kam dashur të të jap, por nuk kam mundur.” Sufjani ka thënë: “Na ka treguar Amri nga Muhamed ibn Aliu se Xhabiri ka thënë: “Pastaj, m'i mbushi dy grushte (dinarë) dhe më tha: “Numëroji.” (Kur i numërova) më dolën pesëqind (dinarë). Pastaj më tha: “Merr edhe dy herë aq.” Ibn Munkediri ka thënë: “Vallë, ka sëmundje më të rëndë se koprracia?!””