“Muhamed ibn Mahbubi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ejubi, e ky nga Muhamedi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ibrahimi nuk ka gënjyer kurrë, përveç në tri raste: “Dy prej tyre për hir të Allahut Fuqiplotë. Fjalët e tij: “Unë jam i sëmurë” (Safat, 89) dhe: “Jo! Këtë e ka bërë ky i madhi i tyre...” (Enbija, 63) Po ashtu (rasti i tretë) : “Një ditë, teksa po udhëtonte me Sarën, arritën te një mbret tiran, të cilit i thanë: “Ka ardhur një burrë me një grua, që është më e bukura ndër njerëz.” Kështu, ai dërgoi dikë dhe e pyetën (Ibrahimin) : - Kush është kjo? - Motra ime, - iu përgjigj Ibrahimi. Pastaj shkoi te Sara dhe i tha: “Oj Sarë, mbi Tokë nuk ka asnjë besimtar, përveç neve të dyve. Ky më pyeti për ty, kurse unë i thashë se je motra ime, andaj mos më përgënjeshtro.” Mbreti dërgoi dikë te Sara për ta marrë. Kur Sara shkoi, ai iu afrua për ta prekur, por iu ngri dora. Iu drejtua Sarës: “Lute Allahun për mua dhe nuk do të të dëmtoj aspak.” Ajo e luti Allahun, sakaq iu lirua dora. Pastaj, për së dyti tentoi ta prekte, e sërish dora iu ngri edhe më shumë. Ai i tha: “Lute Allahun për mua dhe nuk do të të dëmtoj aspak.” Ajo e luti Allahun, sakaq iu lirua dora. Ai thirri disa rojtarë të tij dhe u tha: “Nuk më keni sjellë njeri, por më keni sjellë shejtan.” Pastaj ia dha Haxherën për shërbëtore. Kur Sara u kthye, e gjeti Ibrahimin duke u falur, i cili ia bëri me dorë (duke i thënë) : “Ç'është kjo?” Ajo i tha: “Jobesimtarit, - ose ka thënë: Tiranit, - Allahu ia ktheu kurthin e tij në qafë dhe na dha Haxherën për shërbëtore.” Ebu Hurejra shton: “Kjo ishte nëna juaj, o ju bijtë e ujit të qiellit (o ju arabë).””