“Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Amër ibn Dinari se Seid ibn Xhubejri tregon se i ka thënë Ibn Abasit: “Neuf Bekaliu pretendon se Musai, në historinë e Hidrit, nuk është Musai i benu israilëve, por fjala është për një Musa tjetër.” Ibn Abasi ia ktheu: “Ka gënjyer, armiku i Allahut! Ubej ibn Kabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Musai, i dërguari i Allahut, benu israilëve ua mbajti një ligjëratë dhe, pasi e kreu, dikush e pyeti: “Kush është njeriu më i ditur?” Ai tha: “Unë.” Andaj, Allahu e qortoi pse nuk ia kishte atribuuar diturinë Atij dhe i tha: “Përkundrazi, në vendin ku bashkohen dy detet është një rob Imi që është më i ditur se ti.” Musai tha: “O Zoti im, kush do të më dërgojë tek ai?” - ka mundësi se Sufjani ka thënë: si mund të arrij tek ai?” - Allahu i tha: “Vendos një peshk në një shportë dhe te vendi që do ta humbësh atë, do ta gjesh këtë njeri.” Kështu, Musai mori një peshk, të cilin e vendosi në një shportë dhe u nis bashkë me djaloshin Jusha ibn Nun, derisa arritën te një shkëmb, ku u mbështetën për të fjetur. Kur Musai fjeti, peshku rrëshqiti nga shporta dhe u largua për në det. Allahu e ndaloi rrjedhën e ujit, në mënyrë që ta bllokojë peshkun (aty ku ishte) . Ata vazhduan rrugën gjatë gjithë natës dhe një pjesë të ditës, derisa, të nesërmen, Musai i tha djaloshit: “Na e shtro ushqimin, sepse jemi lodhur nga ky udhëtim.” Musai nuk e kishte ndier lodhjen derisa e kaloi vendin që Allahu ia kishte përcaktuar (për ta takuar Hidrin) . Djaloshi i tha: “Të kujtohet shkëmbi tek i cili pushuam? Aty e kam harruar peshkun. Shejtani ishte ai që më bëri ta harroj.” Ndërkaq, çuditërisht peshku kishte ikur në det. Pra, peshku rrëshqiti ngadalë, gjë e cila i habiti ata. Musai i tha djaloshit: “Këtë po prisnim.” Kështu, u kthyen mbrapa duke i përcjellë gjurmët e veta dhe, kur arritën te shkëmbi, panë një njeri të mbështjellë me një rrobë. Pasi Musai ﷺ e përshëndeti me selam, Hidri i tha: “E prej nga të paskemi ty me këtë përshëndetje?” - Unë jam Musai, - tha Musai ﷺ. - Musai i benu israilëve? - pyeti Hidri. - Po, - tha Musai, - Kam ardhur të më mësosh diçka prej urtësive të tua. - Unë kam dije që ma ka mësuar Allahu e që ti nuk e ke, por edhe ti ke dituri që ta ka mësuar Allahu, të cilën unë nuk e kam, - i tha Hidri. - Më lejon të vij me ty? - e pyeti Musai. “ Ai iu përgjigj: “Ti nuk mund të durosh dot me mua! E si mund të durosh (pa pyetur) para diçkaje për të cilën nuk di asgjë?” (Musai) tha: “Do të më gjesh të durueshëm, në dashtë Allahu, e nuk do të të kundërshtoj për asgjë. ” (Kehf, 67-69) U nisën duke ecur nëpër bregdet dhe, në rrugë e sipër, afër tyre lundroi një anije. Drejtuesve të anijes i kërkuan të hipnin në të dhe, ngaqë ata e njohën Hidrin, i pranuan të hipnin pa pagesë. Ndërkohë, një zog zbriti në një skaj të anijes dhe u ul e piu dy-tri herë ujë deti me sqepin e tij. Hidri i tha Musait ﷺ: “O Musa! Dituria ime dhe jotja nuk ia ka pakësuar diturinë Allahut më shumë sesa e pakësoi ujin e detit sqepi i këtij zogu.” (Gjatë rrugës) Hidri ia mësyu një dërrase të anijes me sëpatë dhe e nxori nga vendi. Atëherë Musai, i çuditur, reagoi e i tha: “Çfarë bëre? Këtyre që na mbartën pa kurrfarë pagese ua shkatërrove anijen që t'i fundosësh! Vërtet bëre një punë të çuditshme!” Hidri tha: “A të kam thënë se nuk do të kesh durim me mua?” Por, Musai i tha: “Mos më qorto, sepse harrova, dhe mos më ngarko me vështirësi në këtë çështje.” Hera e parë ishte për shkak të harresës së Musait. Me të dalë nga deti, kaluan pranë një djaloshi, që po lozte me disa të tjerë. Hidri iu afrua fëmijës dhe me dorën e tij ia këputi kokën kësisoj, - këtu Sufjani lëvizi majat e gishtërinjve sikur po këpuste diçka. - Musai i tha: “More një shpirt të pafajshëm, pa asnjë arsye? Vërtet bëre një punë të shëmtuar!” Hidri ia ktheu: “A të kam thënë se nuk mund të kesh durim me mua?” Musai tha: “Nëse edhe një herë të pyes për diçka, mund të refuzosh shoqërimin tim, tashmë ke arsye për këtë.” Sërish vazhduan rrugën dhe, kur arritën te një fshat, u kërkuan strehim fshatarëve, por ata refuzuan. Aty hasën një mur, i cili veç sa nuk rrëzohej nga lakimi, - këtu Sufjani bëri me dorë sikur po shtynte diçka përpjetë. (Ali ibn Abdullahu thotë:) Sa i përket shprehjes “nga lakimi”, e kam dëgjuar vetëm një herë nga Sufjani. - (Hidri e shtyu me dorë dhe e drejtoi.) Musai iu drejtua: “Një populli që, kur erdhëm, as na dhanë për të ngrënë, as na bënë konak, ti po ua rregullon murin? Nëse do, mund t'u kërkosh pagesë për këtë shërbim.” Hidri i tha: “Këtu duhet të ndahemi unë dhe ti, e në vijim do të të tregoj për domethënien e asaj që nuk munde të kesh durim! ” Pejgamberi ﷺ tha: “Allahu e mëshiroftë Musain! Sikur të duronte edhe më tutje, do të mësonim më shumë prej rrugëtimit të tyre.” (Buhariu) Ka thënë: “Ibn Abasi këtë ajet, përkatësisht shprehjen “veraehum (pas tyre)”, e ka lexuar: “emamehum (para tyre)" ndodhej një mbret, i cili grabiste çdo anije të mirë. Ndërkaq, ajetin tjetër e lexonte: “Sa për djaloshin, ai ka qenë jobesimtar, kurse prindërit e tij ishin besimtarë.” Pastaj Sufjani më tha: “E kam dëgjuar dy herë nga ai dhe e kam mbajtur në mend.” Dikush e pyeti Sufjanin: “E ke mbajtur në mend para se ta dëgjosh prej Amrit apo e ke mësuar prej ndonjë njeriu tjetër?” Tha: “E prej kujt tjetër do ta mësoja?!” Edhe dikush e ka transmetuar prej Amrit, përpos meje, prej të cilit e kam dëgjuar dy-tri herë dhe e kam mbajtur në mend prej tij.”