“Muhamed ibn Hakemi më ka thënë: Na ka rrëfyer Nadri, e këtij i ka rrëfyer Israili, e këtij i ka rrëfyer Sad Taiu, e këtij i ka rrëfyer Muhil ibn Halife se Adij ibn Hatimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kam qenë te Pejgamberi ﷺ kur pati ardhur një burrë t'i ankohej për varfërinë. Pastaj erdhi një tjetër, që ankohej për banditët e rrugës. Pejgamberi ﷺ më pyeti: “O Adij, e ke parë ndonjëherë Hirën ?” I thashë: “Asnjëherë nuk e kam parë, por më kanë rrëfyer për të.” Ai vazhdoi: “Nëse ke për të jetuar gjatë, do të përjetosh kohën kur femra të udhëtojë e vetme prej Hirës deri në Qabe dhe të bëjë tavaf, pa iu frikësuar askujt përveç Allahut.” Në vete thashë: “E ku do të mbeten grabitësit e rrugëve të Tajit, të cilët e dogjën vendin.” Pejgamberi ﷺ vazhdoi: “E, nëse do të jetosh mjaftueshëm, do t'i çlironi thesaret e Kisrait.” Unë pyeta: “Kisra ibn Hurmuzit?” Pejgamberi ﷺ u përgjigj: “Kisra ibn Hurmuzit. Nëse do të jetosh gjatë, do të përjetosh kohën kur njeriu do të sillet me një grusht ari ose argjendi për t'i dhënë ndokujt, por nuk do të gjejë askënd që ia pranon. Ditën e Kiametit do ta takoni Allahun drejtpërdrejt, pa përkthyes, i Cili do të pyesë: “A nuk të kam dërguar pejgamber për të të lajmëruar?” Njeriu thotë: “Ashtu është.” Allahu do ta pyesë: “A nuk të kam dhënë pasuri dhe të kam begatuar?” Njeriu përgjigjet: “Po, ashtu është.” Pastaj shikon në të djathtë dhe sheh Xhehenemin, shikon në të majtë, sërish sheh Xhehenemin.” E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ të thotë: “Ruajuni Zjarrit, qoftë me një copë hurme, e, kush nuk gjen një copë hurme, atëherë me një fjalë të mirë.” Të udhëtojë femra prej Hirës deri në Qabe për të kryer tavafin pa u frikësuar nga asgjë përveç Allahut, e kam përjetuar. Po ashtu, unë kam qenë në mesin e ushtrisë që i kanë çliruar thesaret e Kisra ibn Hurmuzit. Ndërkaq, nëse jeni gjallë mjaftueshëm, do të përjetoni edhe tjetrën, që e ka thënë Pejgamberi, Ebu Kasimi ﷺ: “Njeriu do të japë (ar) me grushte.” Abdullahu më ka thënë: “Na ka treguar Ebu Asimi, e këtij i ka rrëfyer Sadan ibn Bishri, e këtij i ka treguar Ebu Muxhahidi, e këtij i ka treguar Muhil ibn Halife se e ka dëgjuar Adiun duke thënë: “Isha te Pejgamberi ﷺ.””