“Abdullah ibn Rexhai na ka thënë: Na ka treguar Israili, e ky nga Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Bekri bleu nga Azibi një shalë deveje për trembëdhjetë dërhemë. Ai i tha Azibit: “Thuaji Berait të ma sjellë shalën.” Azibi i tha: “Jo, pa na treguar se si vepruat ti dhe i Dërguari i Allahut ﷺ kur dolët nga Meka, teksa ju kërkonin idhujtarët?” Ebu Bekri rrëfen: “U nisëm nga Meka pa fjetur dhe ecëm tërë natën e ditën vijuese, deri në drekë, në mesditë. Shikova mos shihja ndonjë hije për t'u strehuar aty, kur ja, një shkëmb. Shkova atje, e sheshova vendin nën hije, pastaj i shtrova diçka Pejgamberit ﷺ dhe i thashë: “Shtrihu, o i Dërguari i Allahut.” Pejgamberi ﷺ u shtri, kurse unë fillova të shikoja përreth mos na kërkonte ndokush. Një bari i kishte drejtuar delet nga shkëmbi, duke synuar atë që pak më parë po synonim edhe ne (hijen e shkëmbit). Shkova dhe e pyeta: “I kujt je, o djalosh?” - I njërit prej kurejshëve, - tha ai duke përmendur emrin e babait, të cilin unë e njoha. - A ke dele që milet? - e pyeta. - Po, - tha ai. - A po na mjel pak qumësht? - i thashë. - Po, - u përgjigj. I thashë të lidhë një nga delet, t'ia shkundë pluhurin nga gjiri dhe t'i shkundë duart në këtë mënyrë, - duke e goditur njërën shuplakë me tjetrën. Ai moli pak qumësht, ndërsa unë kisha përgatitur një strajcë (me ujë) që kishte një pëlhurë në grykën e saj. E zbraza ujin në qumësht, derisa u ftoh fundi i tij dhe ia dërgova Pejgamberit ﷺ, i cili tanimë ishte zgjuar. I thashë: “Pi, o i Dërguari i Allahut!” Ai piu, derisa unë mbeta i kënaqur, pastaj thashë: “Koha është të nisemi, o i Dërguari i Allahut ﷺ.” - “Po” , - tha ai. Ne vazhduam rrugën, ndërsa njerëzit na kërkonin, por asnjëri prej tyre nuk na arriti, përpos Suraka ibn Malik ibn Xhuëshumit, i cili udhëtonte me kalë. Unë thashë: “Na zuri një gjurmues, o i Dërguari i Allahut.” Ai tha: “Mos u mërzit, se Allahu është me ne.””