“Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “(Kur vdiq Pejgamberi ﷺ) Ebu Bekri e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, pastaj tha: “Ai që e ka adhuruar Muhamedin ﷺ, Muhamedi ﷺ tashmë ka vdekur; ai që e adhuron Allahun, Allahu është i Gjallë dhe nuk vdes.” Pastaj citoi ajetin: “Sigurisht që ti (o Muhamed) do të vdesësh një ditë e, sigurisht që edhe ata do të vdesin.” (Zumer, 30) Më pas citoi edhe ajetin: “Muhamedi është vetëm i Dërguar, para të cilit ka pasur edhe të dërguar të tjerë. Nëse ai vdes ose vritet, a mos do të ktheheni ju prapa? Kushdo që kthehet prapa, nuk i bën kurrfarë dëmi Allahut. Dhe Allahu do t'i shpërblejë falënderuesit.” (Ali Imran, 144) (Kur i dëgjuan këto) njerëzit filluan të qajnë. Ensarët u mblodhën te Sad ibn Ubade, në pushimoren e fisit benu saide, dhe thanë: “Le të jetë një prijës prej nesh dhe një prijës prej jush (muhaxhirëve).” Ebu Bekri, Omer ibn Hatabi dhe Ebu Ubejde ibn Xherrahu shkuan aty. Omeri u ngrit të flasë, por Ebu Bekri e ndaloi. Më vonë, Omeri thoshte: “Betohem në Allahun se nuk kisha për qëllim diçka tjetër, përpos se kisha përgatitur disa fjalë që më pëlqenin dhe frikësohesha se Ebu Bekri nuk do t'i thoshte ato.” Pastaj, Ebu Bekri foli, si oratori më i mirë, duke thënë: “Ne (muhaxhirët) jemi prijësit, kurse ju (ensarët) jeni ministrat.” Habab ibn Mundhiri tha: “Jo, betohem në Allahun se nuk pranojmë, por (le të jetë) një prijës prej jush, një prijës prej nesh.” Ebu Bekri tha: “Jo! Prijësit prej mesit tonë, kurse ministrat prej mesit tuaj, sepse ata (kurejshët) janë nga vendbanimi më i mirë dhe janë zemra e arabëve. Zgjidheni Omerin, ose Ebu Ubejdën.” Atëherë Omeri tha: “Po të zgjedhim ty, sepse ti je zotëria ynë, më i miri prej nesh dhe më i dashuri i të Dërguarit të Allahut ﷺ.” Omeri e kapi për dore dhe ia dha besën, e pastaj edhe njerëzit ia dhanë besën. Dikush tha: “E mbytët (anashkaluat) Sad ibn Ubadën?” Omeri ia ktheu: “Allahu e ka mbytur (anashkaluar) atë.””