“Halid ibn Mahledi na ka thënë: Na ka treguar Ali ibn Mus'hiri, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Mervan ibn Hakemi tregon: “Vitin që u përhap sëmundja e gjakderdhjes nga hunda, edhe Othman ibn Afani u prek nga kjo sëmundje, saqë nuk e la të kryente haxhin. Kështu, ai e shkroi testamentin e vet. Një burrë kurejsh shkoi dhe tha: “Lër testament për halif!” - A edhe njerëzit thonë kështu? - pyeti Othmani. - Po, - u përgjigj. - Për kë është fjala? - pyeti Othmani, por bashkëfolësi heshti. Pastaj, shkoi një tjetër, - mendoj që ishte Harithi, - i cili i tha: - Lër testament për halif!” - A edhe njerëzit thonë kështu? - pyeti Othmani. - Po, - u përgjigj. - Për kë është fjala? - pyeti Othmani, por edhe ai heshti. - Mbase thonë për Zubejrin, - tha Othmani. - Po, - tha ai. - Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se ai është më i miri prej tyre, sa e di unë, dhe është më i dashuri tek i Dërguari i Allahut ﷺ, - tha Othmani.””