“Musai transmeton nga Ebu Avane, e ky nga Mugire, e ky nga Ibrahimi se Alkame tregon: “Shkova në Sham, i fala dy rekate dhe thashë: “O Allah, më lehtëso një shoqërues të mirë!” Kështu, pashë një plak duke ardhur dhe, kur u afrua, thashë: “Shpresoj se Allahu m'u përgjigj (në lutjen time).” Ai më pyeti: “Prej nga je?” - Prej Kufes, - iu përgjigja. - A nuk është në mesin tuaj bartësi i dy nallave, jastëkut dhe enës për pastrim (të Pejgamberit ﷺ)? A nuk është në mesin tuaj ai që është i mbrojtur prej shejtanit? A nuk është në mesin tuaj ai që i di sekretet (e Pejgamberit ﷺ), të cilat nuk i di askush tjetër? - pyeti Ebu Derdai. Pastaj vazhdoi: - Si e lexon Ibn Umu Abdi (Abdullah ibn Mesudi) ajetin: “Betohem në natën...!” (Lejl, 1) Unë ia lexova: “Betohem në natën që me errësirë mbulon gjithësinë! Betohem në ditën kur ajo shkrep! Betohem në Atë që ka krijuar mashkullin dhe femrën!” (Lejl, 1-3) Ai tha: “Pejgamberi ﷺ ma ka lexuar atë gojë me gojë, ndërkohë ata vazhdimisht më bëjnë presion, saqë pothuajse më detyruan të braktis atë (leximin siç e kam dëgjuar prej Pejgamberit ﷺ).””