“Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Katan Ebu Hejthemi, e këtij i ka treguar Ebu Jezid Medeniu, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Rasti i parë i betimit për shfajësim, në periudhën paraislame, ka ndodhur te ne, në familjen benu hashim. Kështu, një person (punëdhënës) prej një familjeje kurejshe mori një punëtor prej familjes benu hashim dhe morën rrugën së bashku me devetë e tij. Pranë tyre kaloi një person prej familjes benu hashim, të cilit i ishte këputur lidhësja e calikut dhe tha: “Më huazo një litar, që të lidh grykat e calikëve e të mos më ikin devetë.” Ai i dha një litar, me të cilin i lidhi grykat e calikëve. Pastaj, kur (punëdhënësi dhe punëtori) u ndalën për të pushuar, i lidhën të gjitha devetë, përpos njërës. Atëherë punëdhënësi i tha: “Pse kjo deve nuk është lidhur sikurse të tjerat?” - Nuk ka lidhëse, - iu përgjigj punëtori. - Ku është lidhësja e saj? - pyeti punëdhënësi. Sakaq e gjuajti me shkop, prej të cilit, më pas, punëtori vdiq. Aty pranë kaloi një burrë jemenas, të cilin punëtori (në çastet e fundit të jetës) e pyeti: “Vallë, në haxh po shkon?” - Nuk e kam ndërmend të shkoj, ndoshta edhe shkoj, - iu përgjigj ai. - Kurdo që të shkosh, a mund të përcjellësh një amanet timin? - e pyeti punëtori. - Po, - i tha jemenasi. Atëherë punëtori i shkroi një letër: “Kur të shkosh në haxh, thirr: “O kurejshë!” Nëse të përgjigjen, thirr: “O benu hashimë!” Nëse të përgjigjen, kërkoje Ebu Talibin dhe tregoji se filani më ka mbytur për një litar.” Pastaj punëtori vdiq. Me të ardhur punëdhënësi në Mekë, Ebu Talibi shkoi dhe e pyeti: - Çfarë ndodhi me njeriun tonë? - U sëmur, ndërkohë unë u kujdesa mirë për të, pastaj edhe e varrosa, - tha punëdhënësi. - Kjo pritej prej teje, - tha Ebu Talibi. Pas njëfarë kohe, personi jemenas, të cilin punëtori e kishte porositur që t'ia përcjellë amanetin, vajti në haxh dhe thirri: - O kurejshë! - Këta janë kurejshët, - iu përgjigjën. - O benu hashimë! - thirri sërish. - Këta janë benu hashimët, - i thanë. - Ku është Ebu Talibi? - pyeti jemenasi. - Ja, ky është Ebu Talibi, - i thanë. - Filani më ka porositur t'jua përcjell këtë amanet: “Filani (punëdhënësi) më ka vrarë për një litar”, - tha jemenasi. Atëherë Ebu Talibi vajti te punëdhënësi dhe i tha: “Zgjidh njërën prej tri gjërave: ti ke vrarë njeriun tonë, andaj, nëse do, jepi njëqind deve, e, nëse jo, le të betohen pesëdhjetë persona nga fisi yt se ti nuk e ke vrarë. E, nëse refuzon, atëherë ne të vrasim ty si hakmarrje për të.” Ai vajti te fisi i vet, të cilët (pasi u tregoi) thanë: “Po, do të betohemi.” Një grua e familjes benu hashim, e cila ishte e martuar tek ata (që do të betoheshin), që njëherazi kishte një djalë, vajti tek Ebu Talibi dhe i tha: “O Ebu Talib, dua që ta lejosh djalin tim që të mos betohet, ashtu që të mos jetë prej të pesëdhjetëve dhe të mos e obligosh të betohet aty ku obligohen betimet.” Ai e pranoi këtë. Pastaj, një tjetër shkoi dhe i tha: “O Ebu Talib, kërkove pesëdhjetë persona që të betohen kundrejt njëqind deveve, (që i i bie) për çdo njeri dy deve. Ja këto dy deve, pranoji prej meje dhe mos më obligo të betohem aty ku obligohen betimet.” Ai i pranoi devetë dhe kështu dyzet e tetë të tjerët erdhën dhe u betuan. Ibn Abasi tregon: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se dyzet e tetë të tjerët vdiqën pa u mbushur një vit.””