“Is'hak ibn Ibrahimi më ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullah ibn Idrisi, e ky e ka dëgjuar Husajn ibn Abdurrahmanin, e ky nga Sad ibn Ubejde, e ky nga Ebu Abdurrahman Sulemiu se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ na dërgoi (në një punë): mua, Ebu Merthedin dhe Zubejrin, sepse ishim kalorës, e në atë rast na tha: “Nisuni dhe shkoni në kopshtin Hah, ku do të gjeni një grua idhujtare, e cila mban një letër të Hatib ibn Ebu Beltait dërguar idhujtarëve.” Kur e arritëm, ajo ishte hipur në deve, mu aty ku i Dërguari i Allahut ﷺ na tregoi, dhe i thamë: “Na jep letrën!” Ajo tha: “Nuk kam asnjë letër.” E ulëm devenë, e kontrolluam, por nuk gjetëm asnjë letër. Pastaj i thamë: “I Dërguari i Allahut ﷺ nuk gënjen: ose na jep letrën, ose do të të zhveshim (për të të kontrolluar).” Kur pa seriozitetin tonë, ia mësyu shokës (brezit), që e kishte rreth vetes, dhe e nxori letrën. Kështu, letrën ia dërguam të Dërguarit të Allahut ﷺ. Omeri tha: “O i Dërguari i Allahut, ai (Hatibi) e ka tradhtuar Allahun, të Dërguarin e Tij dhe besimtarët, andaj më lejo t'ia pres kokën!” Pejgamberi ﷺ i tha: “ (O Hatib) çka të shtyri të veprosh kështu?” Hatibi iu përgjigj: “Betohem në Allahun se nuk është që nuk po besoj në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij ﷺ. Desha të kem dorë (pozitë) mbi fisin tim, që Allahu, nëpërmjet tyre, të ma mbrojë familjen dhe pasurinë. Ndërkohë, të gjithë shokët e tu atje kanë ndonjë familjar, nëpërmjet të cilëve Allahu ua mbron familjet dhe pasuritë.” Pejgamberi ﷺ tha: “Jua tha të vërtetën. Të flitni vetëm mirë për të!” Omeri tha: “O i Dërguari i Allahut, ai (Hatibi) e ka tradhtuar Allahun, të Dërguarin e Tij dhe besimtarët, prandaj më lejo t'ia pres kokën!” Pejgamberi ﷺ i tha: “A nuk ka qenë pjesëmarrës në Bedër?! Ndërkaq, Allahu i ka parë pjesëmarrësit në Bedër dhe u ka thënë: “Punoni ç'të doni, sepse ju është bërë obligim Xheneti”, - ose ka thënë: “... jua kam falur mëkatet .” Atëherë, Omerit i lotuan sytë dhe tha: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.””