“Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Salim ibn Abdullahu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton rrëfimin e Omer ibn Hatabit, kur Hunejs ibn Hudhafe Sehmiu, - një shok i të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe pjesëmarrës në Bedër, i cili vdiq në Medinë, - e la Hafsën, të bijën e Omerit, të vejë, i cili tregon: “Othman ibn Afanin e takova dhe ia propozova Hafsën, duke i thënë: “Nëse do, po ta jap Hafsa bint Omerin për grua.” Ai tha: “Do të shikoj.” Prita disa net, pastaj më tha: “Kam vendosur që tani për tani të mos martohem.” Pastaj e takova Ebu Bekrin dhe i thashë: “Nëse do, po ta jap Hafsa bint Omerin për grua.” Ebu Bekri heshti dhe nuk më tha asgjë. Kjo më hidhëroi më shumë sesa Othmani. Prita disa net, pastaj atë e kërkoi i Dërguari i Allahut ﷺ dhe ia dhashë për grua. Kur Ebu Bekri më takoi, më tha: “Ndoshta më je hidhëruar që nuk t'u përgjigja kur ma propozove Hafsën?” I thashë: “Po.” Ai më tha: “Gjëja e vetme që më pengoi të të përgjigjem ishte fakti se i Dërguari i Allahut ﷺ e pati përmendur Hafsën, prandaj nuk desha ta përhap sekretin e të Dërguarit të Allahut ﷺ. E, sikur ta linte ai, unë do ta pranoja.””