“Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Mameri dhe Junusi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve ibn Zubejri, e këtij i ka rrëfyer Misver ibn Mahrame se Amër ibn Aufi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ishte aleat i fisit të Amir ibn Luejit, njëherazi kishte marrë pjesë në Bedër me Pejgamberin ﷺ, tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ e dërgoi Ebu Ubejde ibn Xherrahun në Bahrejn për t'ua mbledhur xhizjen. I Dërguari i Allahut ﷺ pati lidhur marrëveshje paqeje me banorët e Bahrejnit, ndërsa Ala ibn Hadremiun e pati vendosur në krye të tyre. Kështu, Ebu Ubejde u kthye me pasuri nga Bahrejni. Kur ensarët dëgjuan për arritjen e tij, shkuan të falin namazin e sabahut me Pejgamberin ﷺ. Pasi i Dërguari i Allahut ﷺ e fali namazin, ata i dolën përpara dhe, kur ai i pa kështu, buzëqeshi dhe tha: “Më duket se keni dëgjuar që Ebu Ubejde është kthyer me diçka?” Ata thanë. “Po, o i Dërguari i Allahut.” Pejgamberi ﷺ u tha: “Përgëzohuni dhe shpresoni atë që ju bën të lumtur, sepse, betohem në Allahun se, për ju, nuk ia kam frikën varfërisë sikurse i kam frikën se do t'ju shtrohet dynjaja ashtu siç u ishte shtruar atyre që ishin para jush, e pastaj ju të garoni për të siç garuan ata dhe ajo t'ju shkatërrojë siç i shkatërroi ata.””