“Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Amri se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kush merr hak për mua ndaj Kab ibn Eshrefit, sepse e ka ofenduar Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ?” Muhamed ibn Mesleme u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, a do që ta vras atë?” - “Po”, - i tha Pejgamberi ﷺ. - Më lejon të them gjëra kundër teje (për ta mashtruar atë)? - tha Muhamed ibn Mesleme. - “Thuaj”, - ia ktheu Pejgamberi ﷺ. Kështu, shkoi tek ai dhe i tha: “Ky njeriu ynë po na kërkon sadaka, saqë na ka lodhur shumë, ndërsa unë kam ardhur te ti që të kërkoj borxh. - Kjo lodhje do t'ju shtohet edhe më shumë, - tha Kabi. - Ne e kemi pasuar atë, e nuk po kemi dëshirë ta lëmë, pa parë çfarë do të bëhet me të. A na huazon një ose dy evsukë (ushqim)? - tha Muhamed ibn Mesleme. - Po. Më lini peng diçka, - tha Kabi. - Çfarë dëshiron të të lëmë peng, - pyetën ata. - M'i lini peng gratë tuaja, - ua ktheu ai. - Si të t'i lëmë peng gratë tona, ndërkohë ti je më i bukuri në mesin e arabëve? - i thanë ata. - M'i lini peng djemtë tuaj, pra. - Si të t'i lëmë peng djemtë tanë? Njerëzit do t'i ofendojnë e do t'u thonë: “Qenka lënë peng për një a dy evsukë (ushqim)!” Kjo është turp për ne, prandaj do të t'i lëmë peng armët tona, - i thanë ata. Kështu, premtoi se do të vinte sërish, prandaj i shkoi natën së bashku me Ebu Nailen, vëllanë e Kabit prej qumështit. Kabi i thirri në kështjellë dhe zbriti tek ata. Gruaja e tij e pyeti: “Ku po shkon në këtë kohë?” - Është Muhamed ibn Mesleme dhe vëllai im Ebu Naile, - iu përgjigj Kabi. Në një transmetim qëndron se ajo ka thënë: “Po dëgjoj një zë, sikur po rrjedh gjak prej tij.” - Është vëllai im, Muhamed ibn Mesleme, dhe vëllai im prej qumështit, Ebu Naile. Po qe se njeriu bujar do të ftohej natën për luftë, do të përgjigjej, - tha Kabi. Në transmetimin e Amrit qëndron: “Me të (Muhamed ibn Meslemen) ishin dy persona.” Dikush i tha Sufjanit: “A i ka përmendur me emra Amri?” Tha: “Ka përmendur disa prej tyre.” Amri ka thënë: “Muhamedi erdhi bashkë me dy burra, ndërsa të tjerët pos Amrit kanë thënë: “Ata ishin: Ebu Abs ibn Xhebri, Harith ibn Evsi dhe Abad ibn Bishri.” Muhamed ibn Mesleme tha: “Kur Kabi të vijë, unë do t'ia kap flokët për t'i marrë erë, e, kur ta shihni se e kam kapur mirë për koke, goditeni atë. Në një transmetim tjetër thotë: “Jua mundësoj që ju t'u merrni erë flokëve të tij.” Kabi zbriti tek ata, i armatosur dhe i ndihej era e parfumit. Muhamed in Mesleme i tha: “Nuk kam ndier erë më të mirë se sot.” - Unë e kam gruan më të parfumuar dhe më të mirën e arabëve, - tha Kabi. - Më lejon t'i marr erë kokës sate? - pyeti Muhamed ibn Mesleme. - Po, - i tha Kabi. Atëherë ai i mori erë, e edhe shokët e tij i morën erë. Pastaj prapë i tha: “Më lejon?” - Po, - i tha Kabi. Pasi e kapi mirë, u tha atyre: “Goditeni!” Atëherë ata e vranë. Pastaj shkuan te Pejgamberi ﷺ dhe i treguan për këtë.”