“Ibrahim ibn Musai më ka thënë: Na ka rrëfyer Hisham ibn Jusufi, e ky nga Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Amër ibn Ebu Sufjan Thekafiu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ dërgoi dhjetë persona në një ekspeditë vrojtuesish , në krye të të cilëve e caktoi Asim ibn Thabitin, - gjyshin e Asim ibn Omer ibn Hatabit. - Kështu, ata u nisën, por, kur arritën në mes të Usfanit dhe Mekës, dikush ia përmendi këtë gjë një familjeje të hudhejlëve, që quheshin benu lahjanë, të cilët marshuan në drejtim të tyre, me diku njëqind harkëtarë. I përcollën gjurmët e tyre derisa arritën në vendin ku ata ishin ndalur dhe gjetën mbetje të hurmave, të cilat i kishin sjellë nga Medina. Thanë: “Këto janë hurma të Jethribit (Medinës).” Kështu, vazhduan t'i ndjekin gjurmët e tyre, derisa i arritën. Kur Asimi dhe shokët e tij i panë, u strehuan në një vend të ngritur. Kështu, i rrethuan dhe u thanë: “Zbritni dhe dorëzoni ato që posedoni, ndërsa ne ju japim besën dhe betohemi se s'do të vrasim asnjërin prej jush.” Asimi u tha: “Sa për mua, nuk pranoj të jem nën mbrojtjen e një jobesimtari. O Allah, lajmëroje të Dërguarin Tënd për ne!” Kështu, ata i sulmuan me shigjeta dhe e vranë Asimin, vetë të shtatin. Ndërkaq, Hubejbi, Zejdi dhe një tjetër, u dorëzuan në besën dhe betimin e tyre, prandaj zbritën tek ata. Kur i zunë, ua prenë litarët e harqeve dhe i lidhën me to. Personi i tretë tha: “Ky është fillimi i tradhtisë" dhe kundërshtoi të shkonte me ta. E tërhoqën zvarrë dhe u munduan ta bindin që të vejë me ta, por ai refuzoi, andaj e vranë. Kështu, e morën Hubejbin e Zejdin dhe i shitën në Mekë. Hubejbin e bleu familja e Harith ibn Amir ibn Neufelit, ndërsa Hubejbi tanimë e kishte vrarë Harithin ditën e Bedrit. Kështu, Hubejbi qëndroi aty si rob lufte. Kur vendosën ta vrasin, ai i kërkoi një vajze të Harithit t'i huazojë një brisk për t'i rruar qimet e trupit (pjesët e turpshme), gjë të cilën ia dha. Ajo tregon: “Teksa unë isha e shpërqendruar, djali im shkoi dhe Hubejbi e uli në prehrin e tij. Kur e pashë, u tmerrova shumë, saqë edhe Hubejbi e vërejti. Me brisk në dorë, më tha: “Frikësohesh se do ta vras? Nuk do ta bëja kurrë, inshallah.” Ajo vazhdon: “Asnjëherë nuk kam parë rob lufte më të mirë se Hubejbin. Një ditë e kam parë të hajë rrush nga një kalavesh, teksa ishte i lidhur me pranga hekuri, në një kohë kur s'kishte fruta në Mekë. Pra, ai ishte furnizim i Allahut për të. Kur e nxorën jashtë Haremit (kufirit të Mekës) për ta vrarë, Hubejbi u tha: “Më lejoni t'i fal dy rekate.” Pasi e kreu, u tha: “Sikur të mos mendonit se kam frikë prej vdekjes, do ta zgjasja edhe më shumë.” Hubejbi ishte i pari që filloi traditën e faljes së dy rekateve para ekzekutimit. Pastaj tha: “O Allah, shkatërroji një nga një!” Dhe vazhdoi: "Përderisa vdes si musliman, jo s'mërzitem, se n'cilat troje, për Allahun, vritem e pritem. Këtë e bëj për Allahun, i Cili, kur dëshiron, edhe gjymtyrët e masakruara, Ai i bekon. " Pas kësaj Ukbe ibn Harithi u ngrit dhe e vrau. Ndërkohë, jobesimtarët kurejshë dërguan dikë t'u sjellë diçka prej trupit të Asimit, që ta vërtetojnë vrasjen e tij, ngaqë Asimi, ditën e Bedrit, kishte vrarë dikë prej parisë së kurejshëve. Por, Allahu dërgoi një turmë grerëzash tek Asimi për ta mbrojtur nga lajmëtari i kurejshëve, gjë që pamundësoi t'i pritej ndonjë pjesë e trupit të tij (si dëshmi).””