“Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Abdulazizi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ dërgoi në një detyrë shtatëdhjetë veta, të cilëve u quheshin hafëzët . Dy grupe njerëzish nga familjet riël dhe dhekvan, të fisit benu sulejm, ua zunë pritën te një pus, që quhej Pusi Meune. Lexuesit thanë: “Për Allahun, nuk jemi nisur për te ju, ne po kalojmë për të kryer një detyrë të Pejgamberit ﷺ.” Megjithatë, ata i vranë. Atëherë Pejgamberi ﷺ bëri dua kundër tyre (fiseve riël dhe dhekvan) një muaj rresht në namazin e sabahut dhe ky ishte fillimi i duasë së kunutit, ndërsa më herët nuk bënim kunut.” Abdulazizi ka thënë: “Dikush e pyeti Enesin për kunutin: “A bëhet pas rukusë apo pasi të përfundojë leximi?” - Pasi të përfundojë leximi, - iu përgjigj Enesi.”