“Zekerija ibn Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Numejri, e këtij i ka treguar Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Hendekut Sadi u plagos në krah. Atë e goditi një kurejsh, që quhej Hiban ibn Arika. Pejgamberi ﷺ ngriti një tendë brenda xhamisë, që ta vizitonte atë (Sadin) për së afërmi. Pasi Pejgamberi ﷺ u kthye prej Hendekut, i la armët dhe u pastrua. Xhibrili ﷺ erdhi duke shkundur pluhurin nga koka dhe i tha: “Ti i le armët, por betohem në Allahun se unë nuk i kam lënë. Shko tek ata.” Pejgamberi ﷺ e pyeti: “Për ku (t'ia mësyj) ?” Ai bëri me dorë drejt fisit benu kurejdha. Kështu, Pejgamberi ﷺ shkoi. Ata u pajtuan që Sadi t'i gjykojë, andaj i Dërguari i Allahut ﷺ gjykimin ia la atij. Sadi tha: “Unë gjykoj që luftëtarët të vriten, kurse gratë dhe fëmijët të robërohen, ndërsa pasuria e tyre të ndahet.” Hishami ka thënë: “Më ka rrëfyer babai im nga Aishja se ka thënë: “Sad ibn Muadhi tha: “O Allah! Ti e di se nuk ka ndonjë që dua ta luftoj për hir Tëndin më shumë sesa popullin që kanë përgënjeshtruar dhe e kanë dëbuar të Dërguarin Tënd ﷺ. O Allah! Unë mendoj se Ti i ke dhënë fund luftës mes nesh dhe atyre. Por, nëse ende ka mbetur ndonjë luftë me kurejshët, më jep jetë që t'i luftoj ata për Ty! E, nëse i ke dhënë fund luftës, bëje plagën time të shpërthejë, që prej saj të vdes!” Kështu, gjaku i shpërtheu prej gjoksit. Pjesëtarët e fisit gifar, që ndodheshin në një tendë tjetër në xhami, nuk kuptuan asgjë derisa vërejtën gjakun të rrjedhë tek ata. Atëherë thanë: “O banorë të tendës! Ç'është kjo që po rrjedh nga ana juaj?” Kur shikuan, e gjetën Sadin tek i rridhte plaga gjak. Nga kjo plagë, Sadi gjeti vdekjen. Allahu qoftë i kënaqur me të!””