“Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi se Ejubi tregon se Ebu Kilabe i ka thënë: “Pse nuk e takon Amër ibn Selemen për ta pyetur?” Kështu, unë u takova me të dhe e pyeta. Ai (Amër ibn Seleme) më rrëfeu: “Ne rrinim te një ujë ku kalonin njerëzit dhe, sa herë që kalonin kalorësit, ne i pyesnim: “Çka kanë njerëzit? Çka kanë njerëzit? Ç'është puna e atij njeriu?” Ata thoshin: “Po pretendon se Allahu e ka dërguar pejgamber dhe se i zbret shpallje.” Unë i mbaja në mend ato fjalë, sikur zinin vend në gjoksin tim. Arabët prisnin që, kur të çlirohet Meka, ta pranojnë Islamin. Ata thoshin: “Lëreni atë dhe popullin e tij. Nëse i mund ata, atëherë ai është pejgamber i vërtetë.” Kur u çlirua Meka, të gjitha fiset shpejtonin ta pranonin Islamin. Babai im ishte i pari që e pranoi Islamin prej fisit tim. Me t'u kthyer, tha: “Për Allahun, unë po vij prej Pejgamberit të vërtetë ﷺ, i cili ka thënë: “Faleni këtë namaz në këtë kohë dhe atë namaz në atë kohë. Kur të vijë koha e namazit, le ta thërrasë ezanin ndonjëri prej jush dhe le t'ju prijë në namaz ai që di Kuran më së shumti.” Ata shikuan dhe nuk gjetën askënd që dinte Kuran më shumë se unë. Unë kisha memorizuar gjërat që m'i thoshin kalorësit. Kështu, mua më bënë imam kur isha gjashtë-shtatëvjeçar. Unë kisha një pelerinë, e cila, kur bëja sexhde, ma zbulonte shpinën. Andaj, një grua e lagjes tha: “A nuk po ia mbuloni avretin imamit tuaj?” Atëherë, banorët më blenë një pëlhurë dhe më prenë një këmishë. Asgjë nuk më gëzoi sikurse ajo këmishë.””