“Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Na ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Amri. Bekër ibn Mudarri transmeton nga Amër ibn Harithi, e ky nga Bukejri se Kurejbi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), i çrobëruari i Ibn Abasit, tregon se Ibn Abasi, Abdurrahman ibn Ez'heri dhe Misver ibn Mahremi e dërguan atë tek Aishja duke i thënë: “Dërgoja selamet tona dhe pyete për dy rekatet pas namazit të ikindisë dhe tregoji se kemi dëgjuar se ti i fal ato, ndërkohë ne jemi informuar se Pejgamberi ﷺ ka ndaluar këtë.” Ibn Abasi tha: “Unë dhe Omer ibn Hatabi i ndëshkonim njerëzit për to.” Kurejbi tregon: “Hyra tek Aishja dhe i tregova përse më kishin dërguar.” - Pyete Umu Selemen, - më tha ajo. U ktheva tek ata dhe u tregova çfarë më tha Aishja. Ata më dërguan tek Umu Seleme, siç më kishin dërguar tek Aishja. Umu Seleme më tha: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke i ndaluar ato (namazin pas ikindisë). Pastaj, (një ditë) pasi e fali ikindinë, erdhi tek unë, ku ishin disa gra ensare të fisit benu haram, dhe i fali dy rekate. Kështu, dërgova një shërbëtore dhe i thashë: “Qëndro afër tij dhe thuaji se Umu Seleme po të pyet: “O i Dërguari i Allahut, të kam dëgjuar duke e ndaluar këtë namaz, ndërkohë po shoh se ti i fal ato.” Nëse ta bën me shenjë, largohu. Ashtu veproi, e ai i bëri me shenjë që të largohej pak, andaj ajo u largua. Kur e mbaroi namazin, tha: “Oj bija e Ebu Umejes, më pyete për dy rekatet pas ikindisë. Më kanë ardhur disa pjesëtarë të fisit abdulkajs, që e kanë pranuar Islamin, e më kanë penguar t'i fal dy rekatet pas drekës, e këto (që i fala tani) janë ato (dy rekatet pas drekës) .””